10 të arrestuar për lojëra fati në Korçë, tre prej tyre pronarë lokalesh

10 të arrestuar për lojëra fati në Korçë, tre prej tyre pronarë lokalesh

Policia e Korçës ka ndërmarrë një aksion mbrëmjen e djeshme, duke ushtruar kontrolle në lokale dhe ambiente që dyshohej se përdoreshin për të ushtruar veprimtarinë e kundraligjshme të lojrave të fatit.
Si rezultat, raportohet se në kuadër të operacionit të koduar “Cazino” janë arrestuar 10 persona, ku tre prej tyre janë pronarë lokalesh, të cilët janë kapur duke organizuar lojëra fati me kompjutera dhe me celularë dhe 7 të tjerë klientë duke luajtur lojëra fati.

Më konkretisht, në pranga janë vënë shtetasit: Klajdi Leka, 21 vjeç, Gjergji Panolli, 36 vjeç, dhe Alfred Male, 57 vjeç banues në Korçë dhe Mborje, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe ” Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara”.
Si dhe shtetasit: Leonard Muçollari, Elton Ryka, Elton Sovjani, Ermir Kanollari, Mateas Kanollari, Rudenc Muçollari dhe Agron Tushini, për veprën penale ” Organizimi i lotarive të palejuara”, të gjithë banues në Korçë.
“Këta shtetas u kapën në flagrancë gjatë operacionit duke organizuar dhe luajtur nëpërmjet makinaleve lojra fati dhe duke vënë baste sportive. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 9 monitorë kompjuterash, 13 aparate celularë, tableta, si dhe një sasi parash.” – njofton Policia.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.
Burimi