
Tragjedia në Maqedoninë e Veriut, arrestohen tre kryekomunarët e fundit të Koçanit
Kryetari i komunës së Koçanit, Ljubço Papazov, i cili dha dorëheqje dy ditë më parë, është arrestuar nga policia së bashku me dy ish-kryetarë të tjerë, të cilët e kanë drejtuar qytetin në vitet e kaluara.
Sipas informacioneve fillestare, janë arrestuar ish-kryetarët e komunës së Koçanit, Ratko Dimitrovski dhe Nikolço Iliev, të cilët kanë drejtuar institucionin respektivisht nga viti 2009-2017 dhe nga viti 2017 deri në vitin 2021.
Ljupço Papazov më 17 mars është marrë në pyetje nga prokurori në Prokurorinë Publike të Koçanit dhe pas përfundimit të marrjes në pyetje, organi i akuzës ka njoftuar se do të merret vendim për statusin e tij të mëtejshëm në procedurë.
Tre ish-kryekomunarët dyshohet se ishin në dijeni të faktit se klubi i natës në të cilin shpërtheu zjarri që i mori jetën 59 personave, funksiononte ilegalisht në dhjetë vitet e fundit të ekzistencës së tij dhe e kishin mbuluar këtë paligjshmëri.
Sakaq, ditën e sotme në Maqedoninë e Veriut u bënë varrimi i viktimave të kësaj tragjedie që futi në zi vendin.
Burimi