
SHBA “harron” Groenlandën, kërkesë zyrtare për vezë Danimarkës
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga Danimarka dhe vende të tjera evropiane eksportin e vezëve të pulave për të përballuar mungesën e madhe që po përjeton vendi, i udhëhequr nga Donald Trump.
Sipas Shoqatës së Prodhuesve të Vezëve të Danimarkës, SHBA ka kërkuar furnizime nga Evropa për shkak të rënies së prodhimit vendas, e shkaktuar nga gripi i shpendëve dhe tarifat e larta ndaj Kanadasë, furnizuesit kryesor të vezëve për tregun amerikan.
Çmimi i mesatar u një veze në muajin shkurt arriti në 0.6 dollarë, një rritje prej 96% krahasuar me shkurtin e vitit 2024, sipas të dhënave të Zyrës Amerikane të Statistikave të Punës, shkruan A2 CNN.
Për këtë arsye, Departamenti Amerikan i Bujqësisë ka kontaktuar me vendet prodhuese evropiane për të vlerësuar kapacitetin e tyre të prodhimit dhe mundësinë e eksportit të vezëve drejt SHBA-së. “Ende jemi në pritje të më shumë informacionit nga Uashingtoni për hapat e ardhshëm, por a mund të na jepni një vlerësim të sasisë së vezëve që mund të furnizoni për tregun amerikan?”, thuhej në një letër dërguar Shoqatës Daneze të Vezëve.
Një tjetër letër nga SHBA theksonte se mungesa e vezëve është një problem global për shkak të rritjes së konsumit dhe përhapjes së gripit të shpendëve. Megjithatë, Danimarka iu përgjigj SHBA-së duke theksuar se nuk ka rezerva të tepërta të vezëve në Evropë, por se do të shqyrtojë mundësinë e eksportit.
Mungesa e vezëve në SHBA ka nisur që nga viti 2022 për shkak të gripit të shpendëve. Edhe pse vende si Turqia dhe Brazili kanë rritur eksportet e tyre të vezëve në SHBA, kërkesa në treg mbetet e lartë dhe e paplotësuar. Për këtë arsye, disa supermarkete amerikane kanë kufizuar klientët duke i lejuar të blejnë vetëm një sasi të kufizuar vezësh.
Burimi