
Përplasi me skaf 7 vjeçaren, Apeli lë në fuqi dënimin me 18 vite burg për ish-policin
Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi vendimin për 18 vite burg ndaj ish-policit Arjan Tase. Ky i fundit akuzohet për “vrasje me dashje”, pasi në Gusht të vitit 2022 përplasi për vdekje me skaf 7 vjeçaren në Potam.
“Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë: Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, ka regjistruar procedimin penal të vitit 2022, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 02.08.2022 në Potam Himarë. Si pasojë e goditjes nga skafi që drejtohej nga shtetasi me iniciale A. T, me detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan, ka humbur jetën e mitura me iniciale J. A.
Mbi kërkesën e Prokurorisë, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, është zhvilluar gjykimi i çështjes penale ndaj: të pandehurit me iniciale A. T, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “vrasje me dashje”, të parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal.Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me vendimin nr. 266, datë 22.05.2024, ka vendosur: Deklarimin fajtor të pandehurit A.T për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje” parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal dhe dënimin e tij sipas kësaj dispozite me 18 vite burgim. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 12 (dymbëdhjetë) vite burgim. Ekzekutimi i këtij vendimi fillon ditën e arrestimit të të pandehurit kryer për llogari të këtij procedimi penal, në datën 02.08.2022, dhe pjesa e mbetur e pavuajtur e dënimit, do të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të Gjykatës.
Kujtojmë se vendimi i shkallës së parë u dha më 22 Maj të vitit të shkuar.
Ish-efektivi i policisë akuzohet se duke shkelur kordonin e sigurisë është afruar në zonën e bregut ku e mitura ishte duke u larë në ujë me babain e saj. Sipas dëshmitarëve, skafi ka bërë një kthesë të menjëhershme duke goditur 7-vjeçaren me helikat e tij.
Familja me origjinë nga Tropoja jetonte në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime. Për këtë ngjarje u shkarkua i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë Kufitare të Vlorës, si edhe inspektorët përgjegjës. 8 prej tyre u akuzuan për shpërdorim detyre.
Burimi