
“Makthi” i biletave për Kombëtaren! “Tifozët Kuq e Zi” s’mund të marrin bileta të grupuara. Me Serbinë stadiumi do jetë plot
Nga 21 marsi i ndeshjes së parë të Shqipërisë në këto eliminatore të Kampionatit Botëror përballë Anglisë në Wembley fillon edhe makthi i biletave, jo aq shumë për në transfertë se sa për ato të ndeshjeve që zhvillohen në Tiranë.
Kuqezinjtë pas ndeshjes me Anglinë do të luajnë në “Arenën kombëtare”, përballë Andorrës, për të cilën vërtet ka ende bileta në shitje, por interesimi është shumë i madh.
“Ne kemi tashmë fatin që tifozët nuk vijnë më të shohin ekipin kundërshtarë, e kemi kaluar atë fazë, tifozët vijnë për të parë ekipin tonë kombëtare për të mbështetur lojtarët tonë, por edhe për ta jetuar stadiumin si një eksperiencë”, shprehet Aldi Topçiu, drejtor ekzekutiv FSHF.
Por me sa duket interesimi masiv, ka lënë të pakënaqur tifozët tradicional të kombëtare sonë, si grupimi ‘Tifozët Kuq e Zi’ apo të tjerë, të cilët në këtë ndeshje janë lënë pa bileta të grupuara, pasi është vendosur që kushdo mund të aplikojë vetëm për 4 bileta duke huazuar sistemin që përdor UEFA për aktivitetet e saj.
“Ne e kemi ndërprerë mënyrën e shpërndarjes së biletave me sasi të mëdhaja biletash për grupe tifozësh sepse besojmë që kjo krijon një padrejtësi në shpërndarjen e stadiumit. Me këtë mënyrë krijohen kushte për më shumë njerëz që të vijnë në stadium dhe i jepet kjo e drejtë për të aksesuar biletën më shumë njerëzve”, shton Topçiu.
Megjithatë ky vendim ju ka sjellë debat me një leat të madh të dikurshëm të stadiumeve si TKZ-ja.
“FSHF vlerëson pamasë kontributin jo vetëm të tifozëve kuq e zi por për të gjithë tifozët që kanë ardhur të mbështesin ekipin kombëtarë nga Europa në Tiranë, Elbasan Shkodër, apo anasjelltas ka vetëm respekt”, thotë më tej drejtori ekzekutiv i FSHF.
Duke qenë se jemi tek tifozët dhe kombëtarja, a do të luhet me tifozë vendas ndeshja Shqipëri-Serbi?
“Ajo që unë mund t’ju siguroj është se ndeshja e qershorit do të jetë ‘sold out’, pra i gjithë stadiumi i ezauruar. Të gjithë do të jenë ty për t’u sjellë si mikpritës të mirë si shqiptarë të denjë”, u përgjigj ai.
Pra arena kombëtare do të jetë e hapur për tifozët shqiptarë në atë ndeshje?
“Po po! Nuk ka dyshim”, përfundoi ai./ TCH
Burimi