
Brenda ditës vodhi në një lokal dhe një makinë në Tiranë, vihet në pranga 47-vjeçari
Një 47-vjeçar është vënë në pranga nga policia në kryeqytet pasi akuzohet për vjedhje.
Sipas policisë, shtetasi me iniciale F.(Z.) T. ka vjedhur fillimisht në një lokal, më pas ka vjedhur një makinë dhe ka tentuar të njëjtën gjë edhe me dy të tjera.
“Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga një 47-vjeçar, i cili brenda një dite, vodhi me thyerje në një lokal, 1 automjet dhe tentoi të vidhte në 2 automjete të tjera që iu theu xhamat.
Gjendet dhe sekuestrohet automjeti i vjedhur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e vjedhjeve, identifikimin dhe kapjen e autorëve, bazuar dhe në kallëzimin e një shtetasi, për vjedhje në lokalin e tij, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Reaction”.
Si rezultat i operacionit u kap dhe u vu në pranga shtetasi F.(Z.) T., 47 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, më datë 16.03.2025, ka vjedhur me thyerje produkte të ndryshme në lokalin e shtetasit L. H. dhe automjetin e këtij shtetasi, si dhe ka tentuar të vjedhë në 2 automjete të tjera të parkuara afër këtij lokali, të cilëve iu ka thyer xhamat.
Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjetin e vjedhur nga 47-vjeçari.
Vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
Burimi