
“Amerikanët, të fundit për dije”, Trump firmos dekretin: Departamenti i Arsimit do të shkrihet
Në Shtetet e Bashkuara ka nisur procedura për shpërbërjen e Departamentit të Arsimit. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për këtë, duke përmbushur një premtim të fushatës dhe një synim të gjatë të disa konservatorëve. Duke e akuzuar agjencinë për “dështime që të marrin frymën”, kreu i Shtëpisë së Bardhë u zotua t’i kthejë paratë që departamenti kontrollon në shtete të veçanta.
“Ne do ta kthejmë arsimin tek shtetet. Dhe kjo është një gjë shumë e popullore për t’u bërë. Por më e rëndësishmja, është një gjë e arsyeshme për t’u bërë. Dhe do të funksionojë. Ne do t’i duam dhe do t’i vlerësojmë mësuesit tanë së bashku me fëmijët tanë, dhe ata do të punojnë me prindërit dhe me të gjithë të tjerët. Dhe do të jetë një gjë e mrekullueshme për t’u parë dhe do të jetë vërtet diçka e veçantë”, tha Trump.
Vendimi tashmë po përballet me sfida ligjore nga ata që kërkojnë të bllokojnë mbylljen e Departamentit, si dhe shkurtimet gjithëpërfshirëse të stafit të saj të njoftuara javën e kaluar. I rrethuar nga fëmijë të ulur në tavolinat e shkollës në Shtëpinë e Bardhë të enjten, Trump tha se “SHBA shpenzon më shumë para për arsimin se çdo vend tjetër”, megjithatë ai shtoi se studentët renditen afër fundit të listës për dije në botë.
Në ceremoninë e nënshkrimit, presidenti vlerësoi Linda McMahon, të cilën e emëroi për të drejtuar departamentin dhe shprehu shpresën e tij se ajo do të ishte sekretarja e fundit e arsimit. Pasi Trump nënshkroi urdhrin, senatori republikan i Luizianës, Bill Cassidy, njoftoi planet për të sjellë legjislacionin që synon mbylljen e departamentit. Por republikanët kanë një shumicë të vogël 53-47 në Senat, dhe mbyllja e një departamenti federal do të kërkonte 60 vota.
Burimi