Zgjedhjet në Himarë, Gjykata Administrative rrëzon kërkesën e Belerit

Zgjedhjet në Himarë, Gjykata Administrative rrëzon kërkesën e Belerit

Gjykata Administrative ka vendosur që të rrëzojë kërkesën e Fredi Belerit për pezullimin e zgjedhjeve të 4 gushtit në Himarë.
Seanca e dytë u zhvillua sot dhe sipas avokates së Fredi Belerit dhe PBDNJ, Klodiana Gjyzari, “presidenti caktoi një datë pa skaduar afati që Fredi Beleri të ankimojë vendimin e KQZ-së”. Gjyzari theksoi në seancë se ai “ka të drejtë deri më 5 gusht ora 16:00″.
Ndërsa përfaqësuesja e Presidencës u shpreh se: “Presidenti u vu në lëvizje pasi organi kompetent shpalli vakancën, e po ashtu një organ tjetër kompetent e njoftoi zyrtarisht”.
Ajo shtoi se “PBDNJ e ka njohur datën 4 gusht, sepse ka vijuar me regjistrimin e kandidatit dhe fushatën dhe paditësi Beleri nuk duhet të legjitimohet si palë”.
Në fund, gjykata vendosi të rrëzojë kërkesën e Fredi Belerit.
Shkelja e afateve të ankimit
Në 5 Korrik, KQZ shpalli pavlefshmërinë e mandatit të Fredi Belerit, duke u bazuar në ligjin e dekriminalizimit. Disa javë më parë, Apeli i GJKKO konfirmoi dënimin me burg për Belerin, për korrupsion në zgjedhje. Fill pas vendimit, Kryeministria nisi procedurat për të shpallur zgjedhjet e reja. Pak pas kërkesës nga zyra e Ramës, Bajram Begaj dekretoi 4 Gushtin si datën për zhvillimin e zgjedhjeve të reja në Himarë.
Vendimi i kreut të shtetit nuk respekton afatin e ankimit të Belerit dhe ky i fundit i kërkoi Gjykatës Administrative të Tiranës të pezullojë dekretin e presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve të reja në bashkinë e Himarës.
Opozita ndërkohë, e vlerësoi vendimin e kreut të shtetit në shkelje të Kushtetutës: “Sipas nenit 10/3 të Kodit Zgjedhor Presidenti shpall zgjedhjet e parakohshme pasi ka kaluar afati i ankimit të subjektit të shkarkuar. As shansin e ankimimit, pasi i hoqën atë të betimit dhe lirinë, nuk ia dhanë kryebashkiakut dhe eurodeputetit Beleri”.
I ngjashëm është edhe vlerësimi i Belerit, në padinë në Gjykatën Administrative. “Ky Akt administrativ individual, do të kundërshtohet nga kërkuesi me Padi drejtuar Gjykatës kompetente, pasi vjen në kundërshtim me Kushtetutën, Kodin Zgjedhor, si dhe Kodin e Procedurave Administrative”, thuhej në padi.
Megjithatë, gjykata nuk ishte në një mendje me ankimuesin.
Burimi