Vrasja e biznesmenit Rakip Roli, Apeli lë në fuqi dënimet për autorët

Vrasja e biznesmenit Rakip Roli, Apeli lë në fuqi dënimet për autorët

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës së Lezhës dy shtetasit Llej Lika dhe Klauido Gjegji alias Beleshi.
Ata janë shpallurt fajtor për vrasjen e biznesmenit Rakip Roli, i njohur ndryshe dhe si Pilot Roli, ngjarje kjo e ndodhur më 10 Dhjetor të vitit 2021 në Sanxhak të Laçit.
Llej Lika është dënuar nga Gjykata e Lezhës me 27 vite burgim, duke u shpallur fajtor për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “mbajtja pa leje e armëve”. Ndërsa Klauido Gjegji alias Beleshi është dënuar me 20 vite burgim duke u shpallur fajtor vetëm për veprën penale “Vrasje me paramendim”.
Llej Lika kishte kërkuar në Apel ndryshimin e veprës penale për të cilën është shpallur fajtor nga “Vrasje me paramendim” në “Vrasje me dashje”, si dhe uljen e 1/3 së dënimit nga gjykimi i shkurtuar. Ndërsa Klauido Gjegji (Beleshi) kishte kërkuar shpalljen i pafajshëm për veprën penale “Vrasje me paramendim” dhe të dënohej për “Moskallëzim krimi”.
Gjithsesi kërkesat e tyre janë rrëzuar nga Apeli. Vendimi është marrë nga trupa gjykuese me relatore gjyqtaren Valdete Hoxha dhe anëtarë Brikena Ukperaj dhe Genti Shala.
Që prej momentit të arrestimit të tij dy ditë pas ngjarjes, Llej Lika ka deklaruar para hetuesve se ka vepruar i vetëm në vrasjen e biznesmenit në shenjë hakmarrje, pasi ai bashkë me dy djemtë e tij e kishin dhunuar disa ditë para ngjarjes. Por nga hetimet ka rezultuar se krimi është kryer në bashkëpunim me Klauido Gjegjin (Beleshin).
Biznesmeni 55-vjeçar Rakip Roli u ekzekutua me breshëri plumbash automatiku mëngjesin e 10 dhjetorit të vitit 2021. Ai u qëllua teksa po lëvizte me automjetin e tij luksoz “Audi Q7”, sapo kishte dalë nga banesa në fshatin Sanxhak të Kurbinit. 7 plumba e preken në pjesën e trupit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Burimi