VIDEO – Shmang gazetarët, mjeku Edmond Gashi ia fut vrapit pas seancës gjyqësore
Gjykata e Tiranës ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për mjekun Edmond Gashi, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre” në skandalin e Onkologjikut.
Ai u paraqit në gjykatë rreth orës 10:30, ndërsa në hyrje ku e prisnin gazetarët nxitoi për t’iu shmangur dhe tha: Bëj vetëm punën.
Ndërkohë, pas gati 100 minutash në gjykatë, ai doli nga ana e pasme, aty ku kalojnë vetëm gjyqtarët e prokurorët, ndërsa vrapoi për t’iu ikur gazetarëve.
Gjykata Penale e Tiranës la në fuqi masat e sigurisë për mjekët dhe specialistët e Onkologjikut, të cilët dyshohet se drejtonin pacientët me sëmundje tumorale drejt klinikave private. Sipas Prokurorisë, këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë “shpërdoruar detyrën”.
Një rol kryesor, sipas dosjes hetimore kishte pikërisht Edmond Gashi.
Mjeku Edmond Gashi, referuar dosjes, duke përdorur si argument radhën e gjatë në Onkologjik, orienton pacientët drejt klinikës së tij private “Megis” në Astir, duke iu thënë se situata është emergjente dhe nuk ka kohë për të humbur.
Në dosjen e zbardhur vërehet sjellja e tij në raport me pacientët, të cilët nga spitali shtetëror i ka kaluar në klinikën e tij private. Në biseda telefonike të zbardhura ai kontaktohet nga infermieret që e vënë në dijeni se pacientët janë me temperaturë të lartë, por ai përgjigjet me një gjuhë aspak etike dhe profesionale duke thënë: Vari l*sht.
Kjo bisedë është e dokumentuar në dosjen hetimore, por saga e shkeljeve nuk përfundon këtu.
Mjeku Edmond Gashi rezulton se nuk i ka vënë në dijeni pacientët që në klinikën e tij private bëhen vetëm skanera, biopsi dhe ndonëse të sëmurët me kancer paguajnë në klinikën e tij për të marrë shërbim në një kohë më të shpejtë, sërish ato do duhet të presin në spitalin shtetëror për të marrë seancat e kimioterapisë.
Po ashtu, mjeku Edmond Gashi merr kartelat e pacientëve dhe i mban në zyrën e tij, ndërsa ligji parashikon se duhet të lihen në punktin e kirurgjisë.
Edmond Gashi, mjek pranë spitalit Onkologjik në QSUNT, Emiljano Leka, koordinator pranë Spitalit Onkologjik ne QSUNT, Alketa Ymeri(Pere), mjeke pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT, Brikena Qirjazi, Zv/Drejtoreshë në QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik, Halil Gashi, Florian Marku, administrator i “Flori Farma” dhe Drilona Kishta janë personat e vënë nën hetim lidhur me skemën e mashtrimit që përdornin me personat që luftonin me kancerin.
Lexo edhe:
“Nëna është mirë, por ka nevojë për kimio… Operacioni 2 700 € te privati”/ Si mashtroheshin pacientët nga mjekët e Onkologjikut
Burimi