VIDEO – Pjerin Ndreu 1 orë në SPAK, nën akuzë për shpërdorim detyre

VIDEO – Pjerin Ndreu 1 orë në SPAK, nën akuzë për shpërdorim detyre

Kryebashkiaku i Lezhës është nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme për “shpërdorim detyre”. Këtë fakt e konfirmoi vetë Ndreu, në një prononcim për mediat, në dalje të godinës së prokurorisë.

Rreth orës 10:00 të kësaj të mërkure, kryebashkiaku i Lezhës u paraqit në dyert e Prokurorisë së Posaçme.
Rreth një orë më vonë, ai doli nga godina e qelqtë dhe u ndal në një prononcim për gazetarët.
Ndreu tha se është kallëzuar nga Partia Demokratike e Lezhës lidhur me një procedurë tenderuese – një kallëzim që ai e cilësoi “politik” dhe u vetdeklarua i pafajshëm.
“Ajo që duhet thanë është zero shkelje procedurash, zero korrupsion, zero dëm ekonomik. Ka një problem procedure ku Partia Demokratike e Lezhës s’është dakord që ti bëjmë trotuare njerëzve, ti shpëtojmë jetën siç ka ndodhur më përpara. Jemi në proces. Dhashë shpjegimet e mia. Do ti jap prapë”, tha Ndreu, ndërsa saktësoi se investimi për të cilin është bërë kallëzim është kryer në “lagjen Xhenio” dhe lidhet me infrastrukturën rrugore.
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, ai tha se ditën e sotme, “u thirra (në SPAK) në cilësinë e personit nën hetim për veprën penale shpërdorimi i detyrës”.
“Është një kallëzim politik. S’ka të bëjë fare me efekte as korrupsioni, apo shkelje të barazisë në tendera, asnjë fare, përveçse si duket shërbimi në komunitet që kemi bërë ne, duke rregulluar trotuarin në një zonë që quhet lagjja Xhenio që është një nga zonat më të rrezikshme në qytetin e Lezhës, i kemi zgjidhur një problem madhor, nuk i ka shku për shtat Partisë Demokratike të Lezhës, andaj janë aty janë”, shtoi ai.
Burimi