Vetëflijimi i Pal Trashajt para SPAK-ut, Shehaj: Të dorëhiqet guvernatori Sejko dhe ministri Manja
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj deklaroi në Kuvend sot se për vetëvrasjen e Pal Trashajt duhet të mbajnë përgjegjësi Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe ministri i Drejtësisë.
Sipas Shehajt, Gent Sejko dhe Ulsi Manja duhet të japin dorëheqjen.
“Është e pafalshme që ky parlament ka lejuar që një qytetari të thjeshtë, që nuk ka vrarë njeri, që nuk ka vjedhur, që nuk ka shkelur asnjë ligj, t’i merret shtëpia për 750 euro. Kjo ndodh sepse nuk ka asnjë ligj që e pengon humbjen e shtëpisë për 750 euro.
Është e pafalshme që 750 euro të dhjetëfishohen përmes marifeteve, sepse ky Parlament nuk ka bërë një ligj ta ndalojë.
Është e pafalshme që qytetarëve t’u merret peng jeta për vite të tëra nga një bandë kriminale që vepron me lejen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, maxhorancës dhe ministrit të Drejtësisë, i cili ka detyrën të kontrollojë dhe ndalojë abuzimet e përmbaruesve që marrin peng qytetarët.
Ka vrarë veten një qytetar i ndershëm dhe i pafajshëm. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe ministri i Drejtësisë duhet të japin dorëheqjen.
Kuvendi duhet të veprojë sa më shpejt për të ndaluar këtë skemë kriminale dhe të shpëtojë qindra mijëra qytetarë shqiptarë nga persekutimi dhe pengmarrja. Ka vdekur një qytetar i pambrotjur dhe drejtësia duhet të ndëshkojë fajtorët”, u shpreh mes të tjerash Agron Shehaj në Kuvend.
Burimi