Veliaj kërkoi lirinë, SPAK dorëzon prova të reja – Çfarë ndodhi në seancën në Apel / DETAJET

Veliaj kërkoi lirinë, SPAK dorëzon prova të reja – Çfarë ndodhi në seancën në Apel / DETAJET

Seanca maratonë në Apelin e GJKKO, e nisur paraditen e kësaj të marte, është mbyllur pa një vendim nëse Erion Veliaj, i arrestuar dhe në qeli për korrupsion dhe pastrim parash, do të lirohet nga burgu.
Avokatët e Veliajt ankimuan në Apelin e Posaçëm vendimin e shkallës së parë, që ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Veliajn. Mbrojtja argumentoi në seancë se pse klienti i tyre duhet të lirohet nga qelia, duke pretenduar se nuk ekzistojnë kushtet që ai të qëndrojë në burg. Po sipas tyre, nuk ka rrezik që kryebashkiaku të prishë provat, të intimidojë dëshmitarët, apo të arratiset. Avokatët propozuan edhe lirimin me garanci pasurore.
SPAK, në anën tjetër, mbajti një qëndrim të kundërt duke kërkuar vijimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Prokuroria, e cila u përfaqësua nga Ols Dado dhe Altin Dumani, paraqitën prova të reja që sipas tyre provojnë inkrimimin e kryebashkiakut dhe konsumimin nga ana e Veliajt të veprave penale për korrupsion dhe pastrim parash.
Pas provave të reja të paraqitura nga SPAK, avokatët e Veliajt kërkuan kohë që të njihen me to. Në këto kushte, gjykata mori vendim për shtyrjen e seancën mesditën e nesërme.
Në dalje nga gjykata, avokatët e Veliajt nuk preferuan të jepnin asnjë prononcim për mediat.
Përveç Veliajt, masën e sigurisë e ankimuan edhe të pandehurit e tjerë të dosjes, përveç ndërtuesit Fatmir Bekteshi dhe bashkëshortes së kryebashkiakut Ajola Xoxa.
Hetimet
Veliaj qëndron në qeli prej 10 Shkurtit kur oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit e shoqëruan në paraburgim pas vendimit të miratuar nga Gjykata.
Prokuroria e Posaçme saktësoi se nisi hetimet ndaj Veliajt në korrik 2023, pas një denoncimi anonim që rrëfente lidhjet mes kryebashkiakut me biznesmenin Gentjan Sula, pronar i kompanisë së ndërtimit “Agi Kons”, e cila ka fituar disa tenderë publikë.
Vëllai i kryebashkiakut, Arbër Veliaj, posedonte një vilë në Qerret të ndërtuar nga kompania “Agi Kons”, ndërsa bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, ka deklaruar një apartament në rezidencën “Kodra e Diellit”, gjithashtu e ndërtuar nga e njëjta kompani.
Pas hetimeve paraprake dhe grumbullimit të provave, më 8 shkurt 2024, Prokuroria e Posaçme regjistroi procedimin penal për veprën e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, ndërsa më 27 dhjetor 2024 hetimi u zgjerua duke përfshirë edhe akuzat për “Korrupsion aktiv”, “Pastrimin e produkteve të veprës penale” dhe “Fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurisë”.
Më 16 janar 2025, në regjistrin e veprave penale u shtua edhe akuza për “Deklarata të rreme para oficerit të policisë gjyqësore”, ndërsa më 24 janar 2025 u shtua vepra penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Si pjesë e hetimit, SPAK ka dokumentuar një seri të gjatë transaksionesh që tregojnë rrjedhjen e parasë nga Bashkia e Tiranës, përmes kompanive kontraktore dhe sponsorizimeve, tek OJF-të dhe kompanitë e kontrolluara nga Ajola Xoxa.
Sipas prokurorisë, Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, janë në qendër të një skeme të mirë-organizuar për të përfituar ryshfete dhe për të pastruar para nëpërmjet kompanive kontraktore dhe organizatave joqeveritare (OJF) që merrnin fonde nga Bashkia e Tiranës.
Prokurorët shprehen se Veliaj ka përfituar të paktën 1.1 milionë euro në nëntë raste të ndryshme, duke përdorur pozicionin e tij për të siguruar kontrata publike dhe leje ndërtimi për biznesmenë të ndryshëm.
Po sipas hetimeve, Erion Veliaj, bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa dhe kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka ndërmorën një fushatë të koordinuar për të intimiduar dëshmitarët dhe hetuesit – që sipas arsyetimit të gjykatës së shkallës së parë, e përforcoi nevojën e arrestimit të tij.
Manovrat e Veliajt për liri dhe lobimi ilegal i Fatmir Xhafajt
Beteja e Veliajt për të lënë qelinë dhe për tu shfaqur i pafajshëm është zhvilluar njëkohësisht në disa fronte. Komunikimi publik është një prej fushëbetejave të zgjedhura, me Veliajn që përpiqet të shfrytëzojë hapësirat e mediave pranë tij dhe reagimet në rrjetet sociale për tu pozicionuar si një viktimë e një prokurori, që sipas tij, po përdoret nga kundërshtari politik, Sali Berisha. Sulmet dhe denigrimet ndaj gjyqtarit që aprovoi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij dhe sidomos prokurorit të SPAK që kërkoi mbylljen në qeli të kryebashkiakut duke vënë në pah rrezikshmërinë e tij për prishjen e provave, kanë qenë gati të përditshme nga ana e Veliajt.
Rruga ligjore është një tjetër fushëbetejë e Veliajt. Ai ka ankimuar në Apel vendimin e GJKKO që e la në paraburgim, duke kërkuar lirinë.
Veliaj pretendon se prokurori i SPAK Ols Dado është në konflikt interesi për të hetuar çështjen në ngarkim të tij, pasi sipas tij, i ka kërkuar një leje ndërtimi që Veliaj ja ka refuzuar. Kryebashkiaku ka kërkuar pezullimin e prokurorit të çështjes nga detyra, me anë të kërkesave drejtuar zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë – institucion ky që më herët shprehu publikisht shqetësime për sulmet publike të Veliajt ndaj prokurorit Ols Dado. Veliaj dhe bashkëshortja e tij kanë bërë gjithashtu disa kërkesa në gjykata, duke kërkuar heqjen e sekuestros ndaj sendeve (celularë) të sekuestruara nga prokuroria gjatë hetimeve dhe një vile në Qerret. Megjithatë, deri më tani, të gjitha kërkesat e të akuzuarve janë rrëzuar.
Disa ditë më parë, “Gijotina” raportoi sesi, në një përpjekje të paligjshme, Fatmir Xhafaj është angazhuar për të lobuar te gjyqtari i Apelit që shqyrton kërkesën e Veliajt, për lirimin e këtij të fundit.
Fatmir Xhafaj ka shprehur edhe publikisht mbështetje për Veliajn si dhe ka sulmuar SPAK dhe GJKKO.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente