Urdhri në “Sky”/ Si Gjoka dhe Bajri sabotuan takimin e Beqajt në Shkodër: Thirr Luanin, thuaji mos shko

Urdhri në “Sky”/ Si Gjoka dhe Bajri sabotuan takimin e Beqajt në Shkodër: Thirr Luanin, thuaji mos shko

Ilir Beqaj, ish-ministri i Shëndetësisë që sot ndodhet i izoluar në ambientet e një paraburgimi në Tiranë, në shtator të vitit 2020 është emëruar nga kreu i PS, Edi Rama, si Drejtues Politik në Qarkun e Shkodrës.
Sapo mbërriti në ditët e para të shtatorit, Ilir Beqaj në cilësinë drejtuesit të sapo emëruar, vendos të mbledhë në një takim zyrtar disa nga përfaqësuesit e PS në Shkodër përfshirë këtu dhe Kryetarët e PS në qarkun e Shkodrës me qëllim bërjen e prezantimit të tij.

Ky takim që kishte si qëllim prezantimin me strukturat e PS dhe drejtuesit politik të sapoemëruar Ilir Beqaj, rezulton të jetë diskutuar në aplikacionin “SKY” edhe nga kapo banda i Shkodrës Behar Bajri dhe Pëllumb Gjoka, dy persona tashmë të arrestuar nga SPAK për akuza të rënda si vrasje, “Sigurim i kushteve për të kryer vrasje”, “Pastrim i produkteve të veprës penale”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Korrupsion aktiv” dhe “Organizim pa lejë i lojrave të fatit”.

“Ora News” ka mësuar se dyshja e krimit në Shkodër, Pëllumb Gjoka dhe Behar Bajri, kanë mjaft biseda të shkëmbyera me njëri-tjetrin për Ilir Beqaj dhe funksionarë të tjerë të lartë të Partisë Socialiste, ku dukshëm dhe nga përmbajtja e komunikimeve rroli i tyre tek zyrtarët e Shkodrës dhe PS e këtij qarku, ishte vendimtar.
Beqaj drejtohej prej tyre, madje edhe strukturat e PS në këtë qark merrnin urdhra nga Behar Bajri dhe Pëllumb Gjoka, të cilët urdhrat dhe direktivat i përcillnin përmes deputetit të PS në Shkodër, Luan Harusha.
Nga përmbajtja e bisedave të zhvilluara në 26 shtator 2020, kuptohet se ditën e Mërkurë, që përkonte datën 30 shtator 2020 Ilir Beqaj drejtuesi politik i sapoemëruar kishte thirrur një takim të madh me strukturat e PS në këtë qark.
Në dijeni të këtij takimi është dhe Pëllumb Gjoka së bashku me Behar Bajrin. Në 26 shtator 2020 Pëllumb Gjoka i shkruan në “Sky” Behar Bajrit duke i thënë: “…O vëlla fol me Luanin se ashtë tu ba si interesant… i kam unë tan thotë, e nuk kam nevoj për kan. O vëlla fol me Luanin se asht tu ba interesantin. A ke fol gja me ta ti? Jo se ka problem, por po prish punë”.
Ndërsa Behar Bajri ja kthen përgjigjen: “…Kur ma…po ja q** rrobt atij…”.
Por më tej Pëllumb Gjoka i shkruan sërish Beharit duke i thënë: Thuaj të mos shkojnë…thuaj të mos shkojnë në takime pa i thanë ne. Ka lënë takim me Ilir Beqaj të mërkurën. Don me mbledh Kryetarët e Partive me i çu tek ai, por hajde e thërrasim njere ne dhe flasim me të. Thuaj të mos shkojnë në takime. Thire njerë ti dhe thuaji kush të ka thanë me ba takime? Nesër po vij vetë, e flasim me ta…”
Behar i përgjigjet shkurtimisht me “…ok ok…”. Por sërish Pëllumb Gjoka i shkruan Behar Bajrit se kur të takonte deputetin e PS në Shkodër Luan Harusha, ti: “…Bërtiste fort se asht tu munu me na anashkalu…” dhe Behari ia kthen sërish shkurtimisht “aaaa…”.
Këto biseda dhe shumë të tjera që ndodhen në aplikacionin “SKY” tregojnë protagonizmin, influencën që kanë pasur dy eksponentët e krimit në Shkodër mbi disa elementë dhe drejtues politik të PS në këtë qark.
Por kjo është vetëm maja e ajsbergut që tregon se Ilir Beqaj në kohët në vijim i është nënshtruar vullnetit dhe urdhrave të Behar Bajrit dhe Pëllumb Gjokës./Ora News
Burimi