Tjetër largim nga PL, jep dorëheqjen kryetarja e gruas: Do të kërkoj mundësi të tjera, atje ku meritokracia është parim

Tjetër largim nga PL, jep dorëheqjen kryetarja e gruas: Do të kërkoj mundësi të tjera, atje ku meritokracia është parim

Esmeralda Demiraj, Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim në Partinë e Lirisë, ka bërë publike dorëheqjen e saj nga çdo funksion që ka mbajtur brenda kësaj partie. Në një deklaratë publikuar në rrjetet sociale, Demiraj ka sqaruar vendimin e saj, duke e argumentuar me nevojën për një mjedis politik ku vlerësimi dhe meritokracia të jenë parime udhëheqëse.
Në mesazhin e saj drejtuar mbështetësve dhe simpatizantëve, ajo falenderoi të gjithë ata që e kanë shoqëruar gjatë 14 viteve të saj në politikë, duke kujtuar angazhimin e saj në fushata elektorale dhe në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave në Shqipëri.
“Besova fort se politika është një mjet për të sjellë ndryshim dhe për të mbrojtur interesat reale të qytetarëve. Megjithatë, kur kushtet nuk të lejojnë të bësh atë që ke premtuar, kur ndjen se nuk mund t’u shërbesh më njerëzve siç duhet, atëherë largimi bëhet zgjedhja më e drejtë dhe më e ndershme,” – shkruan Demiraj në postimin e saj.
Ajo nënvizoi gjithashtu se puna dhe kontributi i secilit në politikë duhet të vlerësohet siç duhet dhe la të kuptohet se do të kërkojë mundësi të tjera jashtë Partisë së Lirisë. “Misioni ynë i përbashkët nuk ka mbaruar,” – theksoi ajo, duke sugjeruar se do të vijojë angazhimin e saj në kauzat për të cilat ka punuar deri tani.
Esmeralda Demiraj është personazhi i disatë që largohet nga strukturat e PL, javët e fundit.

Reagimi i PL
Partia e Lirisë përmes zëdhënëses për media ka reaguar për largimin nga kjo forcë politike të kryetares së Lëvizjes së Gruas për Integrim në, Esmeralda Demiraj.
Për Partinë e Lirisë, Demiraj asnjëherë nuk ka qenë e zgjedhur si kryetare e Lëvizjes së Gruas për Integrim dhe në reagimin e tyre nënvizohet se forcës politike nuk mund t’i bëhet presion me largim, në rast se nuk e ke emrin në listat e kandidatëve për deputetë.
“Znj. Esmeralda Demiraj, mund të japë dorëheqjen edhe nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, në rast se është e zgjedhur edhe atje, por ajo asnjëherë nuk ka qenë e zgjedhur Kryetare e Lëvizjes së Gruas për Integrim, por e komanduar në këtë detyrë me kërkesën dhe insistimin e vazhdueshëm të saj. Së dyti, askush nuk mund t’i vendosë kushte Partisë së Lirisë, sidomos në këtë situatë të jashtëzakonshme, që nëse nuk është kandidat/e për deputet/e largohem nga partia”, thuhet në reagimin e PL.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente