Sulmet izraelite vrasin palestinezë në Gazë dhe Bregun Perëndimor
Sulmet izraelite kanë vrarë tetë persona në Rripin e Gazës në 24 orët e fundit, thanë zyrtarët palestinezë, teksa armëpushimi i brishtë me Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – gjerësisht është ende në fuqi.
Ndërkaq, në Bregun e pushtuar Perëndimor raportohet se janë vrarë tre palestinezë.
Sulmet ajrore izraelite vranë disa palestinezë, që sipas ushtrisë izraelite po iu afroheshin trupave apo hynë në zona të paautorizuara në shkelje të armëpushimit të arritur në janar.
Javën e kaluar, Izraeli ka pezulluar furnizimet me mallra dhe energji elektrike për territorin ku jetojnë më shumë se 2 milionë palestinezë, teksa po synon që t’i bëjë presion Hamasit që të pranojë zgjatjen e fazës së parë të armëpushimit.
Faza e parë përfundoi më 1 mars. Izraeli dëshiron që Hamasi të lirojë gjysmën e pengjeve të mbetura në këmbim të premtimit për të negociuar një armëpushim afatgjatë.
Hamasi ka thënë se dëshiron nisjen e negociatave për fazën e dytë të armëpushimit, kur është paraparë që të lirohen pengjet e mbetura në Gazë, tërheqja e trupave izraelite dhe një paqe e qëndrueshme.
Hamasi besohet se ende ka 24 pengje që janë gjallë dhe trupat e 35 të tjerëve.
Hamasi e nisi luftën në Gazë, pasi sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Që atëherë, si pasojë e ofensivës ushtarake të Izraelit, në Gazë janë vrarë më shumë se 48.000 palestinezë.
/rel/
Burimi