Sot seanca plenare, ja projektligjet që shqyrtohen në Kuvend
Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot në orën 17:00 seancën plenare, ku në rend të ditës do të jetë mes të tjerave edhe projektligji “Për një shtesë dhe disa ndryshime në ligjin nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucione publike të arsimit të lartë”.
Gjithashtu në rend të ditës në seancën e sotme është edhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 72/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Infrastrukturës kombëtarë të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”.
Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektligjin “Për prodhimin organik, etiketimin e produkteve organike dhe kontrollin e tyre”. Një tjetër projektligj që do të diskutohet sot është “Për disa ndryshime në ligjin nr. 43/2020, “Për aktivitetet e turizmit detar”.
Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektvendimin “Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e përfaqësuesve te shoqërisë civile sipas ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të ndryshuar, raundi i parë.
Gjithashtu sot do të votohet projektvendimi “Për propozimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të kandidaturës për Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, projektvendimi “Për disa ndryshime në vendimin nr. 69/2021 “Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar, si dhe projektvendimi “Për një ndryshim në vendimin nr. 70/2021 “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues së Komisioneve të Përhershme të Kuvendit” i ndryshuar.
Burimi