Skandali në QSUT/ Pacientët me kancer nuk mjekoheshin, por detyroheshin të shkonin të privati – 8 masa sigurie

Skandali në QSUT/ Pacientët me kancer nuk mjekoheshin, por detyroheshin të shkonin të privati – 8 masa sigurie

Një hetim i prokurorisë së Tiranës ka zbuluar një skemë korruptive në repartin Onkologjik (të luftës kundër kancerit) në QSUT, ku pacientëve nuk u jepej shërbim dhe detyroheshin të mjekoheshin në spitale private.
Me kërkesë të prokurorisë së Tiranës, gjykata e rrethit ka caktuar 7 masa sigurimi personal, arrest në shtëpi dhe detyrim paraqitje për mjekë dhe punonjës të tjerë të spitalit Onkologjik në QSUT, ish-drejtoreshën e spitalit dhe farmacistë.
Masat dhe akuzat
Arrest në shtëpi është caktuar për:

Edmond Gashi, 44 vjeç, (Mjek pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT) – akuzohet për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
Florian Marku, 42 vjeç, i akuzuar  për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë”.
Detyrim paraqitje është caktuar për:
Emiljano Lela, 36 vjeç, (Koordinator pranë Spitalit Onkologjik ne QSUNT), i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
Alketa Ymeri(Pere) 53 vjeçe, (Mjeke pranë Spitalit Onkologjik ne QSUNT) e akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Brikena Qirjazi, 52 vjeçe, (Zv/Drejtoreshë në QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin Onkologjik) e akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Halil Gashi, i akuzuar për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.
Drilona Kishta, për të cilën, ndryshe nga personat e sipërpërmendur, nuk është ekzekutuar ende vendimi i gjykatës pasi rezulton jashtë Shqipërisë.

Gjithashtu është bërë sekuestrimi i klinikës mjekësore “Megis” dhe i është komunikuar nga autoritetet që nuk duhet të ushtrojë aktivitetin deri në një moment të dytë. Rezulton se në këtë klinikë është bashkëpronar Edmond Gashi, i cili ushtron detyrën edhe si mjek në repartin Onkologjik.
“Këta shtetas, gjatë kohës që kanë qenë të punësuar në spitalin shtetëror ‘Nënë Tereza’, kanë shpërdoruar detyrat, duke mos iu dhënë qytetarëve, shërbimin e nevojshëm në spitalin shtetëror, por duke i orientuar ata në spitale private, për të marrë shërbimet që kërkonin”, thotë policia në një njoftim zyrtar.
“Gjithashtu, në spitalin ‘Nënë Tereza’ ka qenë i vendosur dhe burimi i kobaltit që shërbente për radioterapinë, i cili nuk vihej në punë dhe ishte jashtë standardeve, duke u kthyer në një burim rreziku për pacientët. Gjatë hetimit është bërë e mundur që ky burim të zhvendoset në vendin e përcaktuar”, shtuan të njëjtat burime.
Burime pranë prokurorisë thanë se në kuadër të këtij procedimi është ushtruar kontroll në disa subjekte farmaceutike ku janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme mallrash të dyshuara të kontrabanduara dhe të falsifikuara, si dhe një shumë parash prej 10 mijë eurosh në subjektin farmaceutik “Flori Farma”.
Burimi