Skandali i TIMS-it, socialistët mbyllin mbledhjen për raportimin e zyrtarëve të Policisë

Skandali i TIMS-it, socialistët mbyllin mbledhjen për raportimin e zyrtarëve të Policisë

Neritan Nallbati, Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë e Shtetit, do të raportojë këtë të mërkurë në komisionin e posaçëm për vjedhjen e të dhënave të TIMS-it.
Raportimi do të bëhet pa praninë e medias. Shkak për këtë ishte një propozim i socialistëve, të cilët kërkuan që mbledhja duhet të zhvillohet me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor.
Tetë votat e socialistëve që mbështetën propozimin përcaktuan edhe mënyrën e zhvillimit të seancës së raportimit e pyetje-përgjigjeve.
Shtatë deputetë të opozitës votuan kundër, mes tyre edhe kryetari Ervin Salianji, i cili shprehu pakënaqësi për mbylljen e mbledhjes nga socialistët përmes forcës së kartonit.
“Do zbardhen të gjitha. Është vetëm çështje kohe. Ja u kam thënë, si lakuriqët e natës, po ju ra drita…”, tha Salianji.
Hetimet e prokurorisë kanë zbuluar vjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS, ndërsa për çështjen ka shkuar pas hekurave ish-drejtori i IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça.
Për të dëshmuar në komision këtë të mërkurë, ishte thirrur edhe SHISH, Vlora Hyseni, e cila nuk është paraqitur.
Gjest që u dënua nga kryetari i komisionit.
“Në 11:00 ishte lajmëruar për të dhënë dëshminë drejtori i SHISH, na ka sjellë një shkresë ku thuhet se drejtori do të jetë në një aktivitet. Ta shoqërojmë me polici. Do të lajmërojmë policinë, do e vëmë në dijeni dhe drejtoreshën, që ka punë më të rëndësishme se sa të shkosh në Beograd. Të vijë të japë dëshmi, siç e përcakton ligji”, tha Ervin Salianji.
Për të dëshmuar në komision këtë të mërkurë, janë thirru edhe Zef Laska, Drejtor i Burimeve Njerëzore, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë e Shtetit; Enri Ndoni, Drejtor i Sistemeve të Policisë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë e Shtetit dhe Saimir Boshnjaku, Drejtor i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin.
Nisur nga votimi për raportimin e Nallbatit, socialistët pritet të mbyllin seancat e raportimit edhe për zyrtarët e tjerë të policisë.
E njëjta procedurë është ndjekur edhe më herët nga socialistët, për raportimet e zyrtarëve të tjerë në komisionin për TIMS-in.
Burimi