Shqipëria do të prodhojë dhe shesë armatim/ Amendamenti i Kryemadhit: Taksë zero për bizneset që prodhojnë armë

Shqipëria do të prodhojë dhe shesë armatim/ Amendamenti i Kryemadhit: Taksë zero për bizneset që prodhojnë armë

Shqipëria do të prodhojë dhe shesë armë. Duke nisur nga ish-uzina e Poliçanit apo ajo e Mjekësit në Elbasan, pajisjeve ushtarake do t’u shkundet pluhuri i harresës. Ligji i miratua në seancën e fundit plenare me 76 vota pro, 18 kundër, 1 abstenim, vota e Fatmir Mediut. 43 deputetë të pranishëm nuk votuan.
Në komisionet parlamentare hyri me procedurë të përshpejtuar drafti ligjor me kosto 300 milion lekë për krijimin e shoqërisë shtetërore ‘KAYO’ për prodhimin dhe tregtimin e armëve e municioneve si edhe përcaktimin e rregullave të funksionimit të kësaj veprimtarie. Te “Siguria”, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, sqaroi që ka një ngutje për shkak të situatës globale të konflikteve dhe kërkesë së vetë NATO-s.
Për opozitën drafti fsheh skenarë të përfshirjes së privatëve. Zëvendësministri i Mbrojtjes, Dorian Tola, sqaroi se “KAYO” është një shoqëri aksionare me 100% aksionar shtetin.
Në pikëpyetje opozita vuri edhe buxhetin prej 3 milionë euro për shoqërinë.
Objekt i “KAYO” do të jetë projektimi, prodhimi, demilitarizimi dhe tregtimi, brenda dhe jashtë vendit, i të gjitha llojeve të armëve. Synimi i qeverisë është të prodhojë armë të mjaftueshme për Forcat e Armatosura, por planet janë edhe për shitje, duke pasur parasysh situatën aktuale të konflikteve globale.
Me 78 vota pro e 21 kundër Kuvendi miratoi në mbrëmje vonë pr/ligjin  “Për miratimin e Planit Afatgjatë të Zhvillimit të Forcave të Armatosura 2024- 2033”. 39 deputetë të pranishëm nuk votuan.
-Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi dhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ishin të vetmit deputetë të opozitës që votuan pro projektligjit për planit afatgjatë të Forcave të Armatosura 2024-2033.
-Projektligj “ Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër ushtarake ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë” u miratua me 97 vota pro, asnjë abstenim e asnjë kundër.  41 deputetë të pranishëm nuk votuan.
-Projektligj “Për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake” u miratua me 76 vota pro, 18 kundër, 1 abstenim, vota e Fatmir Mediut.  43 deputetë të pranishëm nuk votuan.
Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi propozoi një amendament për taksë zero për subjektet që merren me prodhimin apo mirëmbajtjen e armëve, municioneve dhe pajisjeve të teknologjisë ushtarake, që u miratua me 77 vota pro.
– Projektligj “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake” u miratua me 76 vota pro, 20 kundër asnjë abstenim.  42 deputetë të pranishëm nuk votuan.
Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 46/2018 “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë” u miratua me 76 vota pro, 20 kundër, 0 abstenim. 42 deputetë të pranishëm nuk votuan.
gijotina.com/
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente