Shkuan për të vjelë lajthi, zhduken nënë e bir nga rrëshqitjet e dheut
Një burrë dhe nëna e tij e moshuar janë dy personat e zhdukur në Talanico, një fshat në zonën e Casertas në Itali, i cili është shkatërruar nga një lumë balte dhe mbeturinash që zbriti nga kodra për shkak të reshjeve të dendura të shiut të pasdites së djeshme.
Mediat italiane bëjnë të ditur se nënë e bir kishin shkuar në tokën e tyre me një kamionçinë Apecar dhe nuk janë kthyer më.
Forcat zjarrfikëse, karabinierët dhe policia vijojnë kërkimet për 74-vjeçaren dhe 42-vjeçarin. Automjeti i tyre me tre rrota u përmbyt nga lumi i baltës dhe mbeturinave dhe u gjet në një argjinaturë.
Nga hetimet e para të karabinierëve rezultoi se gruaja dhe djali i saj ishin të zënë me vjeljen e lajthive kur u befasuan nga rrëshqitja e dheut dhe tentuan të arratiseshin me Apecar. Ata ndoshta udhëtuan disa metra para se balta të mbulonte automjetin dhe të përfundonte në skarpat.
Disa komuna në provincën e Avellinos në Itali janë goditur nga një stuhi e fuqishme gjatë orëve të pasdites së të martës.
Sipas mediave italiane, moti ndryshoi në pak minuta, ku dielli i la vendin reve të tejmbushura me shi, të cilat sollën erë të fortë e reshje me intensitet të lartë, duke shkaktuar përmbytje.
Situata më e rëndë ishte në Baiano, ku termocentrali Via Libertà u zhyt nën ujë. Shumë persona u shpëtuan nga zjarrfikësit.
Ndërkohë, rruga që përshkon qytetin në Mugnano del Cardinale u kthye në lumenj duke marrë para makinat e parkuara
Gjithashtu në provincën Forlì pati shqetësime për shkak të motit të keq, ndërsa në zonën e Modenës pemët ranë për shkak të erërave të forta; duke sjellë ndërhyrjen e dhjetëra zjarrfikësve. Moti i keq përfshiu edhe zonën e Pisano me pemë të rrëzuara dhe dy zjarre të shkaktuara nga rrufeja.
Një stuhi e fuqishme ka goditur edhe Viterbon në orët e pasdites, duke shkaktuar përmbytje të ndryshme dhe shembje të pemëve. Breshëri me madhësinë e rrushit dhe erërat me shpejtësi të lartë goditën qendrën historike dhe periferinë e qytetit.
Burimi