Pse u shkarkua Albana Fico nga QSUT? Flet ministrja

Pse u shkarkua Albana Fico nga QSUT? Flet ministrja

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu e ka mohuar se largimi i Albana Ficos nga drejtimi i Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, ka lidhje me zjarrin që përfshiu katin e parë të Urgjencës së këtij spitali, në orët e para të mëngjesit të 11 shkurtit.
Në një prononcim për mediat, Koçiu deklaroi se ky ndryshim bëhet për të sjellë energji të reja për projektet në vazhdim.
“Lirimi i Albana Ficos nga detyra nuk ka lidhje me urgjencën. Sjellim energji të reja për projektet në vazhdim. Drejtorja e re e QSUT në rend të parë do të ketë vënien në funksion të plotë të urgjencës së sëmundjeve të brendshme”, tha ajo.
Albana Fico u largua ditën e sotme nga drejtimi i QSUT-së, post që e mbante që prej dhjetorit të vitit 2021, kur në atë kohë u largua Enkelejd Joti. Fico do të zëvendësohet në këtë post nga Alma Cami, e cila aktualisht është nëndrejtoreshë tek spitali “Shefqet Ndroqi”.
Kujtojmë se për zjarrin në urgjencën e QSUT, është nisur një hetim nga Prokuroria e Tiranës, e cila ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Shkatërrimi pronës me zjarr”.
Nga ana e prokurorisë është urdhëruar administrimi i të gjitha provave për të dokumentuar shkakun dhe vlerën e dëmit të shkaktuar, si dhe personat përgjegjës për shkaktimin e dëmit. Me administrimin e akteve proceduriale dhe akteve të ekspertimit do të konkludohet mbi shkakun e rënies së zjarrit dhe vatrës fillestare.
Vlen të thekohet fakti se në muajin Mars të vitit 2023, kryeministri Edi Rama dhe ish-ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Menastirliu inaguarn investimin 17 milion euro të rikonstruksionit të QSUT-së, që siç duket miliona euro janë bërë tym dhe hi.
Më herët është raportuar se për shkak të zjarrit tek QSUT, shërbimet jetike mjekësore ende nuk janë futur në funksion, teksa spitali është futur në kolaps.
Burimi