Pesë mijë euro gjyqtarit/ GJKKO dënon me 3 vite burg kryetarin e Dhomës së Avokatëve

Pesë mijë euro gjyqtarit/ GJKKO dënon me 3 vite burg kryetarin e Dhomës së Avokatëve

Ish kreu i Dhomës së Avokatisë së Korçës Arben Lena u dënua me 3 vite burg nga GJKKO.  Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datën 10.05.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurve: Arben Lena, Nikolla Hafësllari, Nikolla Jesku, Dajana Kodra (Ninga), Blerand Kozici, Dritan Tabaku, Artiana Kozici.
Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Irena Gjoka dhe Erjon Bani, vendosi: Deklarimin fajtor të të pandehurit Arben Lena, për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim. dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Arben Lena me 2 (dy) vite burgim. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Arben Lena do të fillojë nga dita që ndaj tijështë zbatuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg” dt. 27.01.2024 dhe do të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së zakonshme.
Në aplikim të nenit 39 të K.Penal, gjykata vendosi heqjen e të drejtës për të ushtruar profesionin për të pandehurin Arben Lena për një periudhë kohore prej 3 (tre) vjetësh.
Po ashtu u deklarua fajtor i pandehuri Nikolla Hafësllari, për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 (një) vit dhe 6 (gjashtë) muaj burgim.  Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Nikolla Hafësllari me 1 (një) vit burgim.
Për të njëjtën vepër, Nikolla Jesku dënohet me 1 (një) vit burgim, Dajana Kodra (Ninga), 1 (një) vit e 4 (katër) muaj burgim,
Në aplikim të nenit 59 të K.Penal urdherohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim për pjesën e mbetur pa vuajtur të tij duke e vene të pandehurën Dajana Kodra Ninga ne provë për një periudhë kohe prej 2 (dy) vite dhe 8 (tetë) muaj, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryeje vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte të rregullta me Zyren e Shërbimit të Provës ku ka vëndbanimin e saj.
Dritan Tabaku për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit”, gjykata vendosi shuarjen e masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”.
Blerand Kozici, për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”  dënohet me 1 (një) vit e 4 (katër) muaj burgim.
Artiana Kozici, për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim i jepet dënimi me 8 (tetë) muaj burgim. Në aplikim të nenit 59 të K.Penal urdherohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim duke e vënë të pandehurën Artiana Kozici ne provë për një periudhë kohe prej 1 (një) vit dhe 4 (katër) muaj, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryeje vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte të rregullta me Zyren e Shërbimit të Provës ku ka vëndbanimin e saj.
gijotina.com/
Burimi