PD: Cilësia e rrënuar e arsimit, shkak për braktisjen e vendit
Partia Demokratike reagoi sot mbi gjendjen e sistemit arsimor në vend, ndërsa vlerësoi se “organizimi dhe administrimi i shërbimit arsimor është në situatë kaotike”.
Përmes një deklarate për shtyp, drejtuesja e departamentit të arsimit në PD, Lili Sula u shpreh se “të ashtuquajturat reforma të rilindjes përgjatë këtyre 12 viteve, patën pasojë agoninë e plotë të arsimit”.
Sipas Sulës, arritjet shkollore të nxënësve të të gjitha cikleve të edukimit të sistemit parauniversitar, janë tronditëse, e treguar kjo nga sa e sa raporte të organizatave dhe institucioneve vendase dhe sidomos ndërkombëtare.
“Cilësia e rrënuar e arsimit, paraqitet sot si një ndër shkaktarët e braktisjes së vendit nga fëmijët dhe të rinjtë. Çorganizimi strukturor i sistemit; niveli i korrupsionit; dhunimi i parimeve të barazisë dhe meritës në rekrutimin e administratës së sistemit arsimor dhe veçanërisht politizimi e militantizmi i saj, dëshmohen sot në nivelet më flagrante dhe njëherazi më qesharake”, shtoi ajo.
Sula siguroi se me ardhjen në pushtet, Partia Demokratike do t’i rikthejë institucionet e arsimit në shërbim të tyre dhe në shërbim të interesit publik.
Burimi