Paditë në Strasburg/ Kryetarja e Kushtetueses: Të zbatohen vendimet e GJEDNJ
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zacaj e pranishëm në aktivitetin e organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë ka folur për vendimet e shtetit shqiptar, por edhe të gjykatave që janë rrëzuar nga Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Sipas Zacajt: “Dështimi për të zbatuar një vendim përfundimtar të detyrueshëm mund të çojë në situata të papajtueshme me vete parimin e shtetit të së drejtës, të cilin Shtetet palë kanë marrë përsipër të respektojnë me nënshkrimin e Konventës.
Po kështu, dështimi i një shteti në zbatimin e vendimeve vë në diskutim jo vetëm efektivitetin e së drejtës për t`ju drejtuar gjykatës por edhe respektimin e të drejtave dhe lirive të parashikuara nga Konventa, të cilat shtetet anëtarë kanë marrë përsipër t’i mbrojnë.
Në jo pak raste Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur shkelje në procedurat tona të brendshme, duke përcaktuar detyrimin e shtetit shqiptar për marrjen e masave të nevojshme për korrigjimin e tyre.
Në mënyrë konkrete, përmes vendimeve të saj kjo Gjykatë e mund të vendosë ndaj shtetit marrjen e masave me karakter të përgjithshëm, ose me karakter individual, ose të të dyja masave së bashku.” U shpreh ajo gjatë aktivitetit të organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë për Nënkomisionin për zbatimin e Vendimeve te Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Kryetarja e GJK ka zbuluar se edhe disa vendime të vetë Gjykatës Kushtetuese kanë rezultuar me shkelje nga GJEDNJ-ja.
“Ndonëse GJEDNJ-ja ka gjetur shkelje në një numër të konsiderueshëm çështjesh ndaj shtetit shqiptar, numri i kërkesave drejtuar Gjykatës për rihapje të procesit është relativisht i ulët. Kështu, rezulton se pas vendimmarrjeve të GJEDNJ-së që kanë gjetur shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, në Gjykatë janë paraqitur gjithsej 8 kërkesa, për 5 prej të cilave Gjykata është shprehur me vendim përfundimtar ndërsa për 2 kërkesat e tjera vendimet janë marrë respektivisht nga Mbledhja e Gjyqtarëve dhe Kolegji, duke u vendosur moskalimi i tyre për shqyrtim në seancë plenare; 1 kërkesë e vitit 2024 ka kaluar për shqyrtim në seancë, dhe po pritet shqyrtimi i saj.
Po ashtu, ajo që dua të theksoj është se, fakti i pranimit të kërkesave nga GJEDNJ-ja nuk nënkupton automatikisht riphapjen e procesit dhe shqyrtimin në themel të çështjes. Kjo varet nga çështja konkrete dhe lloji i shkeljes së konstatuar nga GJEDNJ-ja.
Kështu, në rastet kur GJEDNJ-ja ka gjetur shkelje të Gjykatës Kushtetuese për mënyrën e interpretimit të ndryshimeve të reja ligjore të vitit 2016 që parashikonin afatin 4-mujor për paraqitjen e ankimit kushtetues individual dhe kërkuesi i është drejtuar Gjykatës me kërkesë për rihapjen e procesit, ndonëse legjitimimi ratione temporis i kërkuesit është superuar, bazuar në vendimmarrjen e GJEDNJ-së, çështja është konsideruar sërish e papranueshme nga Kolegji i Gjykatës, për shkak të pabazueshmërisë në Kushtetutë të pretendimeve të ngritura” është shprehur ajo.
gijotina.com/
Burimi