Mediu kritika opozitës për listat e mbyllura: Nuk jemi bagëti që të ndjekim…
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu shprehu sot kritika lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor që po diskutohen në seancën plenare në Kuvend.
Mediu u shpreh se, opozita tha se listat e mbyllura i kanë kërkuar partitë e vogla, por sipas tij kjo nuk është e vërtetë.
“Këtë e kam për kolegët e mi të opozitës. Gjetën një shfajësim kur thanë se e paskemi kërkuar ne, partitë e tjera. Ne kemi kërkuar jo më shumë se 1/3. Jo për të vendosur mbi 90% apriori. S’jemi grumbull bagëtish që ndjekim lidershipin e PS-sw.
E quajmë veten të djathtë ne! E djathta e fiton votën përmes besimit të qytetarëve. Po ata të rinj që duan të futen në garë përmes votës? U themi stop se jemi ne të vjetrit njëherë. Si mundet të shkojë para nëse nuk përfshinë në garë njerëz të shquar? Mbyllja e listave është 80% deri në 90%. I shërben një grupi që e shohin veten si politikanë të përhershëm”, tha ai.
Mediu tha se, ne si vend anëtar i NATO-s duhet të plotësojmë të gjitha detyrimet.
“Reforma zgjedhore është për qytetarët, që ata të votojnë të lirë dhe ndershmërisht”, tha ai.
Duke folur për koalicionet, Mediu tha se, nëse nuk do të ishin prishur koalicionet, sot do të kishim një tjetër mazhorancë.
“Idiotësia për të lënë parlamentin, idiotësia e bojkotit të zgjedhjeve lokale, bënë që ne sot të jemi në këtë situatë. Duhet të një reformë zgjedhore dhe jo marrëveshje miope, që i shërbejnë vetëm atyre që thonë: a do të jemi ne në Kuvend apo jo?”, tha Mediu.
Burimi