
Më e votuara mbetet jashtë liste dhe tërhiqet nga gara, demokratët e Fierit letër Berishës: Ndihemi të papërfaqësuar…
Elisabeta Rredhi, në procesin e Primareve të Qarkut Fier rezultoi gruaja më e votuar me 492 vota dhe e treta në të gjithë vendin, por ajo nuk u përfshi në listën e sigurt të kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 11 Majit.
Rredhi, ka vendosur të tërhiqet nga gara për zgjedhjet e 11 Majit.
Ky vendim është marrë pasi nuk u përfshi në listën e mbyllur të Qarkut të Fierit, teksa sipas saj, kur dha dorëheqjen nga posti i kryetares së degës kishte rënë dakord me Berishën për të kundërtën.
“Është e gabuar të mendosh se unë i trembem një gare në një listë të hapur pasi kam garuar dy here ne liste te hapur ne 2017 ku dorzova dhe mandatin dhe ne 2021 ku u rendita femra e dyte me e votuar ne Qarkun Fier dhe pse e renditur e 17 ne liste!
Faktet dhe votimet e primareve e treguan qartë vlerësimin e bazës për mua.
Një parti e madhe dhe me vlera si PD nuk mund të shndërrohet në një parti që bën qoka për të preferuarit e qëndres dhe lë jashtë vullnetin e shprehur me votë te demokratëve!
Vendimi për të mos qenë pjesë e listës së hapur të PD-së për Fierin nuk ishte një vendim i lehtë por i detyruar!”, shkruan ndër të tjera ajo.
Kjo duket se ka lënë të pakënaqur demokratët, të cilët i janë drejtuar me një letër Sali Berishës dhe kryesisë së PD-së, e cila mban firmat e demokratëve të bazës në Fier dhe Divjakë, ku shprehin pakënaqësi për listën e kandidatëve.
Sipas tyre, deri më tani procesi i Primareve po rezulton një farsë dhe se caktimi i kandidatëve po bëhet me përzgjedhje klanore. Më tej thuhet se ndihen të shqetësuar që verdikti i demokratëve nuk po respektohet nga kryesia e PD-së, por po gjenden artificie për shmangien e tyre, duke i demotivuar për të punuar në funksion të fitores së PD.
Në letër shkruhet se lista e Qarkut Fier, nuk është listë fituese dhe një listë që të sillte risi, emra të rinj dhe me reputacion, pasi Fieri është qarku më i majtë në Shqipëri, po i serviren elektoratit e njëjta fotografi kandidatesh.
“Pas procesit të primareve që përcaktonte se pushteti politik për zgjedhjen e kandidaturave për deputet do ta kishte anëtarësia, deri tani sipas informacioneve rezulton një farsë dhe me përzgjedhje klanore.
Ne po ndjekim me shqetësim të thellë se pas 12 vjetësh opozitë dhe qendrës, sërish nuk po respektohet nga kryesia e PDSH verdikti i demokratëve nëpërmjet zgjedhjes së primareve, por po gjenden artificie për shmangien e tyre, duke na demotivuar për të punuar në funksion të fitores së PD.
Ne, si degë e PD Divjakë, nuk ndihemi të përfaqësuar, pasi fituesja e primareve e vendit të parë nga zonjat me 492 vota në Qarkun Fier dhe e treta në Republikë, me një mbështetje elektorale dhe kontribut të rëndësishëm, nuk përzgjidhet nga kryesia në listën e sigurtë, por i ofrohet vendi në listën e hapur. Zonja në fjalë ka kontribuar dy herë si kandidate në vitin 2017 dhe 2021.
Dega Divjakë ka marrë rezultate të rëndësishme në çdo palë zgjedhje dhe është një ndër degët më të mira të Qarkut Fier, mbështetëse në të gjitha aksionet opozitare në këto 12 vjet.
Lista e Qarkut Fier, sipas informacioneve paraprake, nuk është listë fituese dhe një listë që të sillte risi, emra të rinj dhe me reputacion, pasi Fieri është qarku më i majtë në Shqipëri, po i serviren elektoratit e njëjta fotografi kandidatesh”, shkruhet në letrën dërguar Berishës dhe Kryesisë.
Burimi