
Lista e deputetëve të PS/ Kë ‘përcjell’ Rama dhe cilët janë emrat e rinj
Mbrëmjen e sotme, Partia Socialiste do të vendosë përfundimisht për listën e saj të kandidatëve për deputetë. Ajo që dihet deri më tani është se drejtuesit politikë janë të gjithë në listën e sigurtë. Pjesë e saj do të jenë edhe disa nga ministrat pa mandat deputeti dhe emra të rinj që vijnë nga Diaspora, platforma “Deputeti që Duam” dhe strukturat e Partisë Socialiste.
Për zgjedhjet e 11 majit, shumë emra të rëndësishëm të PS-së, disa prej tyre ish-ministra, rrezikojnë karrigen e deputetit pasi pritet të jenë në listën e hapur. Aty gara është e fortë, veçanërisht në qarkun e Tiranës.
Kur na ndajnë vetëm pak orë nga zyrtarizimi i kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste për garën e 11 majit, ethet më të mëdha duket se kanë përfshirë më së shumti deputetët shumëmandatësh.
Nëse i qëndrojmë deklaratës së kryesocialistit Edi Rama, numri i deputetëve të karrierës që karrigen e deputetit duhet ta fitojnë nga vota e drejtpërdrejtë e popullit është më i madh se ai i atyre deputetëve që janë ende pa nisur garën.
Ata janë drejtuesit politikë: Ogerta Manastirliu, Elisa Spiropali në qarkun e Tiranës, Belinda Balluku në Fier, Bledi Çuçi në Vlorë, Mirela Kumbaro në Gjirokastër, Ervin Demo në Berat, Niko Peleshi në Korçë, Arbjan Mazniku në Elbasan, Ulsi Manja në Lezhë, Blendi Klosi në Dibër dhe Eduard Shalsi në Kukës.
Nuk janë drejtues politikë të Shkodrës dhe Durrësit, pasi ata janë kryebashkiakë dhe mes karriges së deputetit dhe të parit të qytetit, mbajtën këtë të fundit.
Një tjetër drejtues politik mbetet Taulant Balla, i cili drejton Diasporën. Nëse i referohemi deklaratës së kryesocialistit Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste në vjeshtën e një viti më parë, ai do të jetë në listë të sigurtë dhe me gjasa në qarkun e Elbasanit.
Lista e hapur, aty ku deputetëve të kësaj legjislature do t’u duhet të rifitojnë ulësen në parlament, përmban një numër të konsiderueshëm socialistësh shumëmandatësh dhe disa prej tyre ish-ministra.
Për karrigen e deputetit në garë në të 12 qarqet pritet të jenë: Erion Braçe, Pandeli Majko, Olta Xhaçka, Xhemal Qefalia, Damian Gjiknuri, Ermonela Felaj, Arben Pëllumbi, Ilir Pendavinji, Nasip Naço, Fatmir Xhafaj, Lindita Nikolla, Etilda Gjonaj, Blerina Gjylameti, Klotilda Bushka, Mimi Kodheli dhe Milva Ikonomi.
Të sigurtët, ata që do të jenë deputetë që më 13 mars pas dorëzimit të listave të kandidatëve për deputet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, janë të paprovuar me jetën parlamentare. Ata do të jenë ministra, të rinj nga “Deputeti që Duam”, Diaspora, emra që vijnë nga strukturat e Partisë Socialiste dhe ish-drejtues në institucione të pushtetit qendror dhe vendor.
Ndër emrat më të njohur dhe që pritet të jenë në listat e sigurta janë ministrat Adea Pirdeni, Ervin Hoxhaj, Igli Hasani, Blendi Gonxhja, Albana Koçiu, Bora Muzhaqi, Pirro Vëngu, Anila Denaj dhe Petrit Malaj.
Në garën e 11 majit, ku Partia Socialiste synon të përtërijë një pjesë të ekipit të saj, janë edhe drejtues institucionesh qendrore, vendore dhe sipërmarrës.
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ceno Klosi, Ardit Bido, drejtori i Arkivave, dy prefektët e Vlorës dhe Shkodrës, Plator Nesturi dhe Majlinda Angoni, drejtori i përgjithshëm i Ujësjellës-Kanalizimeve Klevis Jahaj, sipërmarrësi Vasil Llajo, apo Ermal Pacaj, ish-drejtor i Shërbimit të Provës.
Këto zgjedhje do të prodhojnë edhe një risi: Agron Çela dhe Paulin Sterkaj nuk do të jenë më deputetë, por do të përfaqësohen me familjarë të tyre, njëri me të bijën Xhejms Çela dhe tjetri me një të afërm, Ndriçim Sterkaj.
Lista e sigurtë përmban edhe shumë emra të rinj që vijnë nga “Deputeti që Duam”, Diaspora, strukturat e Partisë Socialiste dhe drejtues të institucioneve vendore në të 12 qarqet e vendit.
Megjithatë, e mërkura dhe mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste do të përcaktojë përfundimisht 186 kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste, ku 46 prej tyre do të jenë të tillë pa pritur 11 majin e zgjedhjeve.
/Euronews/
Burimi