Lirohet Sali Berisha, bie masa e arrestit shtëpiak
Ish-kryeministri Sali Berisha është liruar nga masa e “arrestit shtëpiak” pas një vendimi të fundit të Gjykatës së Posaçme.
Në dalje të gjykatës, këtë të mërkurë, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj tha për gazetarët se “zoti Berisha është i lirë dhe pa asnjë masë sigurimi ndaj tij”. Ai shtoi se pas ankimit që erdhi në vijim të vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese “gjykata (e Posaçme) i përcakton kushtet dhe kriteret (për Berishën) për mos caktimin e asnjë lloj mase”.
Ai zbuloi se në seancë, SPAK kërkoi që arresti ndaj Berishës të mbetej në fuqi. “Ne nuk i besojmë gjykatave, ua kam thënë kemi 1 vite e ca luftë me Irena Gjokën. Nuk e di duhet të kuptoni, nuk mund të hyj ndërgjegjes së brendshme, procesi është politik nuk ekziston arsye ligjore. SPAK le të bëjë ç’të dojë. Duhet të ulë kokën dhe të shoh çfarë ka bërë, të kthehet në retrospektivë i ka hipur një kali së prapthi”, shtoi avokati.
Avokat Gjokutaj në prononcimin për mediat
Berisha ndodhej nën masën e arrestit në shtëpi që prej Dhjetorit të vitit të kaluar për çështjen e privatizimit të klubit sportiv “Partizani”. Fillimisht, kreu i opozitës, u la nën masën detyrim paraqitje dhe ndalim i lëvizjes jashtë vendit. Masa e detyrim paraqitjes nuk u zbatua nga Berisha i cili argumentoi se ishte marrë në mënyrë të jashtëligjshme, pasi sipas tij, masa duhet të aprovohej më parë nga Kuvendi, siç ishte proceduar në rastin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Në këto kushte, SPAK kërkoi ashpërimin e masës së sigurisë që u aprovua nga gjykatat: Ndaj Berishës, nga detyrim paraqitje, u caktua masa e arrestit shtëpiak.
Beteja ligjore e kryedemokratit vijoi në të gjitha shkallët e gjykimit. Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese, teksa shqyrtoi një ankim të Berishës, u shpreh se nuk kishte nevojë që për masën detyrim paraqitje të merrej aprovim nga Kuvendi, por shtoi se masa e ndalimit të daljes nga vendi për të ishte joproporcionale. Në një njoftim të dytë, Kushtetuesja sqaroi se më 27 Dhjetor do të shqyrtojë kërkesën e kreut të PD-së për rrëzimin e masës së arrestit shtëpiak. Avokati i Berishës dhe më pas vetë kryedemokrati njoftuan se çështjen e kishin ankimuar në Gjykatën e Strasburgut dhe kjo gjykatë e kishte pranuar ta shqyrtonte me procedurë të përshpejtuar.
Pas vendimi të Kushtetueses, Berisha bëri sërish ankim në GJKKO për rrëzimin e masave të sigurisë, që këtë të mërkurë pranoi kërkesën e kryedemokratit.
Burimi