Kush e solli te Onkologjiku kobaltin që rrezikoi jetën e pacientëve dhe mjekëve? Pyesni Edi Ramën

Kush e solli te Onkologjiku kobaltin që rrezikoi jetën e pacientëve dhe mjekëve? Pyesni Edi Ramën

Një postim i kryeministrit Edi Rama katër vite më parë është risjellë në vëmendje, teksa në vend ka shpërthyer skandali i spitalit Onkologjik.
Bëhet fjalë për një postim në rrjetet sociale në Shkurt 2020, në të cilin kryeqeveritari propagandonte aparaturën e re të kobaltit (asokohe) te Onkologjiku, që sipas tij, do ta barazonte nivelin e trajtimit të pacientëve me “botën e zhvilluar”.
“Vetëm kush ka qenë aty e di mirë ç’do të thotë spital dhe aparaturë e duhur. Dikur në onkologjik përdorej aparatura e vjetër e kobaltit (që edhe kur punonte, më shumë dëmtonte pjesët e shëndosha të trupit sesa trajtonte pacientin). Sot 2 Akseleratorë Linearë ultra modernë janë në funksion të plotë. Tani kryhen mbi 23 mijë seanca radioterapie #FALAS në vit për pacientët me kancer, njëjtë si bota e zhvilluar”, shprehej kryeqeveritari.

Por, një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe më pas një hetim i prokurorisë së Tiranës zbuloi se pajisja nuk funksionon prej kohësh. Madje, u zbulua se pajisja u kthye në rrezik për shëndetin e pacientëve dhe mjekëve.
“Në vijim të veprimeve hetimore rezultoi se në Spitalin Onkologjik në QSUNT u instalua një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tomorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës. Që të përdoret Kobalto Therapy duhet të krijohet një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjensia Atomike e Vienës ose Agjencia Ndërkombëtare që thirret IEAHEA. Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua, por aparatura u vendos jashtë kushtetve teknike. Që kur ky aparat ka mbërritur në Shqipëri dhe deri më sot, ai jo vetëm që nuk është shfrytëzuar, por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vete personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emëton kjo pajisje”, tha në një njoftim zyrtar prokuroria e Tiranës.
Në fashikujt e dosjes hetimore sqarohet më tej se një sërë matjesh nga ekspertë të huaj ngritën alarmin se rrezatimi nëpër korridoret e onkologjikut nga burimi i kobaltit që u la sheshit pa kushte, ishte 20 herë më i lartë se normat. Të dhënat dyshohet janë fshehur.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se është e paqartë se kush e porositi kobaltin në kushtet kur spitali nuk kishte krijuar mjetet për ruajtjen e tij.
Përgjigjen e kësaj pyetjeje ndoshta mund ta japë kryeministri Edi Rama, i cili ka reklamuar pajisjen.
Në një reagim për postimin e Ramës, zëdhënësja e PD-së Floriana Garo, u shpreh se kreu i qeverisë i shndërroi spitalet e Shqipërisë në “treg të zi të vdekjes”.
“Edi Rama, megjithatë, nuk ndalet në propagandimin e së keqes. Ishte vetë kryeministri që, në vitin 2020 e paraqiste si sukses blerjen e aparaturës së kobaltit, që nuk u vu në punë kurrë Jo vetëm kaq, por që helmoi me rreze radioaktive kush e di sa pacientë dhe punonjës spitalorë. Ky është Edi Rama i vërtetë. Ai erdhi me premtimin e shëndetësisë falas dhe i shndërroi spitalet e Shqipërisë në ‘treg të zi të vdekjes’ ku jeta e shqiptarit trajtohet si rezultat në skedinat e futbollit”, tha ajo.
Nën akuzën e shpërdorimit të detyrës për gjendjen e pajisjes, nga prokurori Bledar Valikaj është vënë Brikena Qirjazi – ish zv.drejtoresha e QSUT-së, e ngarkuar edhe me shërbim te Onkologjiku.
Ndërkohë, kjo e fundit ka deklaruar se për problematikën ka njoftuar drejtorinë e QSUT-së, duke shprehur më tej se QSUT duhet të njoftonte Ministrinë e Shëndetësisë, për të kontaktuar me ekspertë nga Instituti Shkencor i Vjenës, të cilët janë ekspertët për këto lloj aparaturash.
Ndërkohë, drejtuesja aktuale e ministrisë së Shëndetësisë Albana Koçiu shmangu përgjegjësinë nga vetja për skandalin te Onkologjiku, duke hedhur akuza mbi mjekët nën hetim.  “…Do të mbajnë mbi shpinë jo vetëm peshën e ligjit, por edhe moralin e turpit”, tha ajo këtë të enjte nga foltorja e Kuvendit.
Burimi