Kujdes fëmijët! Rikthehen infektimet nga virusi “Koksaki”
Përveç rasteve në rritje me kollë të mirë, të vegjlit po preken edhe nga virusi “Koksaki” ose siç njihet ndryshe sëmundja “duar-këmbë-gojë”. Përhapja e kësaj sëmundje që prek edhe të rriturit që nuk e kanë kaluar në vegjëli, ka bërë që shumë fëmijë t’i drejtohen urgjencës së pediatrisë në QSUT për shkak të temperaturës së lartë dhe puçrrave të qelbëzuara që ju kanë shpërthyer në duar, këmbë dhe gojë.
“Virusi Koksaki, apo sëmundja duar-gojë-këmbë ka një përhapje të gjerë e cila merret zakonisht nga ambientet komunitare si çerdhe, kopshte, shkolla dhe manifestohet me puçrra në zonën përreth gojës, në pëllëmbët e duarve dhe në shputat e këmbëve. Kemi pasur shumë raste pasi tani rastet janë edhe për shkak se virusi është sezonal”, tha për RTSH pediatria ne urgjencën QSUT, Lori Gjoni.
Nuk ka medikamente dhe asnjë vaksinë parandaluese kundër këtij virusi. Simptomat mund të trajtohen me ilaçe dhe mjete shtëpiake.
“Këto janë sëmundje të natyrës virale dhe nuk rekomandohet terapi me antibiotikë pasi kjo është e ndaluar nga ana protokollare, por bëjmë suport me lëngje dhe terapi vitaminash”, tha pediatria.
Kjo sëmundje përhapet direkt nga kontakte direkte me personin e sëmurë meqenëse virusi ndodhet në çarjet e vogla të lëkurës. Ai shkakton edhe dëmtim të rëndë të thonjve. Personat e infektuar janë përhapës të sëmundjes në javën e parë të shfaqjes dhe mund të kalojë edhe në rrugët e sipërme të frymëmarrjes ku qëndron për tre javë. “Koksaki” u shfaq masivisht në Shqipëri në vitin 2021.
Burimi