
Kualifikueset e Kupës së Botës 2026 / Kombëtarja zhvillon stërvitjen e parë në “Shtëpinë e Futbollit”
Kombëtarja shqiptare ka kryer pasditen e sotme seancën e parë stërvitore në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” në kuadër të ndeshjeve ndaj Anglisë dhe Andorrës.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se të 26 lojtarët e grumbulluar janë bashkuar me ekipin. Të fundit që mbërritën në grumbullim u bashkuan me skuadrën gjatë seancës stërvitore.
Ndërkohë, trajneri Silvinjo kishte grumbulluar edhe disa lojtarë nga kampionati “Abissnet Superiore” për seancën e sotme stërvitore.
Stërvitja u kombinua mes punës në palestër dhe në fushë.
Seanca e radhës stërvitore e Kombëtares do të zhvillohet nesër në “Shtëpinë e Futbollit”.
Të mërkurën, ekipi do të udhëtojë drejt Londrës, ku të premten Kombëtarja do të luajë ndeshjen e parë kualifikuese për Kupën e Botës 2026 ndaj Anglisë në “Wembley”.
Burimi