Kreu i SHISH raporton me dyer të mbyllura në Komisionin TIMS: Salianji: Nuk doni mediat, verboheni si lakuriqi i natës në dritë

Kreu i SHISH raporton me dyer të mbyllura në Komisionin TIMS: Salianji: Nuk doni mediat, verboheni si lakuriqi i natës në dritë

Po zhvillohet ditën e sotme mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor për rrjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS. Seanca ka nisur me 1 minutë heshtje në nderim të shkrimtarit, Ismail Kadare që u nda nga jeta ditën e djeshme.
Sot është thirrur për të dhënë dëshminë e saj drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni. Kjo e fundit ka kërkuar që dëshminë ta japë me dyer të mbyllura.
“Si drejtore e SHISH njoh dhe vlerësoj detyrimin kushtetues për raportim në Kuvendin e Shqipërisë dhe rolin jetik të komisioneve në sigurimin e transparencës dhe llogaridhënies. Në asnjë rast SHISH nuk i është shmangur raportimit para komisionit të Kuvendit. I nderuar z.kryetar lidhur me objektin e raportimit të sotëm kërkoj seanca të zhvillohet me dyer të mbyllyra dhe praninë e deputetëve me certifikimin e duhur. SHISH siguron informacione të domosdoshme për problematikat që lidhen me sigurinë kombëtare ndaj duhet të mbrohen burimet e klasifikuara.”, ka thënë Hyseni.
Ndërkohë kryetari i Komisionit, Ervin Salianji propozoi që mbledhja të zhvillohet e hapur, pasi sipas tij nuk ka asnjë element që përbën sekret shtetëror.
“Nuk shoh asnjë element të përbërë sekret shtetëror. Duke pasur parasysh që kemi të bëjmë vetëm me aspekte procedurale dhe kërkesa që janë zbuluar në publik, propozoj që mbledhja të zhvillohet e hapur.”, tha Salianji.
Por më pas ka qenë zv.kryetari Toni Gogu, ai i cili ka thënë që kërkesa e Salianjit të hidhet në votim.
“Zoti kryetar kërkesën tuaj ta hedhim në votim. Që kjo mbledhje të vazhdojë në shinat e ligjshmërisë, hidheni në votim”, tha Gogu
“Jeni të axhituar sot nuk e di çfarë keni. Unë mendoj që i shërben publikut që mbledhja të jetë me dyer të hapura. Lakuriqi i natës nga drita verbohet dhe del vetëm në errësirë. Të heqim median, të heqim dritën dhe të bëhemi si lakuriq nate. Nuk shpëtoni dot”, ka thënë më tej Salianji.
Por pas votimit me shumicë votash vetëm nga socialistët, u mor vendimi që mbledhja të vijojë me dyer të mbyllura.
Si edhe herët e kaluara, kjo mbledhja e komisionit për të dhënat e TIMS së ditës së sotme, ka nisur me debate.
Deputeti i PS Xhemal Qefalia i ka kërkuar kryetarit të Komisionit Ervin Salianji që të kërkojë ndjesë për faktin që në mbledhjen e kaluar deklaroi se drejtoresha e SHISH Vlora Hyseni nuk ishte e pranishme për të dëshmuar, për shkak se ndodhej në Beograd.
Pjesë nga diskutimi:
Qefalia: E kërkoj për procedurë
Salianji: Këtu për procedurë kërkohet
Qefalia: Duhet të dëgjosh kur flas unë. Si kryetar komisioni.
Qefalia: Nise mbledhjen me një ndjesë publike për veprimin që bëre në mbledhjen mëparshme duke ngatërruar vendin e takimit të drejtoreshës së SHISH nga Brukseli në Beograd.
Salianji: Kam pasur një shkresë nga SHISH. Gabon politikisht kur përmend Beogradin. E kemi si pyetje, sepse i intereson edhe drejtoreshës që të sqarojë çdo dyshim besoj.
Sot dëshmojnë edhe Florian Sulejmani, Drejtor i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Ardi Veliu, ish- Drejtor i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Burimi