Kontrabandë nga Kosova/ Arrestohen doganierë, policë dhe shoferë në Morinë

Kontrabandë nga Kosova/ Arrestohen doganierë, policë dhe shoferë në Morinë

Disa persona janë arrestuar së bashku me një doganier të doganës së Morinit, pasia akuzohen se kanë bashkëpunuar për kontrabandimin e një sërë pjesësh këmbimi nga Kosova nën drejtim të Shqipërisë.
Gjithashtu AMP ka nisur hetimet edhe për disa punonjës policie, të dyshuar si bashkëpunëtor në këtë krim.
Njoftimi i Policisë së Kukësit:
Sektori për Hetimin e Krimeve i DVP Kukës, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Kukës- Dibër, Sektori i Hetimit, finalizoi operacionin policor të koduar ‘Linja’, pas një hetimi me metoda proaktive, të kryer në drejtimin e Prokurorisë së Kukësit.
U kapën në flagrancë teksa transportonin me autobus, pjesë automjetesh, me vlerë rreth 8000 euro, të kontrabanduara nga Kosova, arrestohen 3 shtetas.
Gjithashtu, vihen në pranga 1 doganier i Degës Doganore Morin dhe në hetim 3 punonjës policie të PKK Morinë, të dyshuar të implikuar në këtë rast.
Sekuestrohen mallrat (disqe automjetesh) e dyshuara të kontrabanduara.
Si rezultat i një hetimi të ndjekur proaktivisht, për goditjen e rasteve të transportimit të mallrave të ndryshme, nga Kosova, me qëllim shitjen në Shqipëri, u finalizua operacioni policor i koduar ‘Linja’, në kuadër të të cilit:
-u vunë në pranga shtetasit:
Sh. H., 53 vjeç, G. B., 37 vjeç dhe I. H., 35 vjeç, për veprën penale ‘Kontrabanda me mallra të tjera’, kryer në bashkëpunim;
Xh. Sh., 46 vjeç, me detyrë doganier në Degën Doganore Morin, për veprën penale ‘Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore’.
-u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit E. D., 28 vjeç, H. K., 54 vjeç dhe B. Gj., 50 vjeç, punonjës policie, me detyrë kontrollorë në PKK Morinë, për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’.
Shtetasit Sh. H., G. B. dhe I. H. u kapën në flagrancë teksa transportonin me një autobus që e drejtonte 53-vjeçari, disqe automjetesh, me vlerë rreth 8000 euro, të dyshuara të kontrabanduara nga Kosova, me qëllim shitjen në Shqipëri.
Në vijim, nga hetimet dyshohet se shtetasi Xh. Sh. ka bashkëpunuar me 3 të arrestuarit, për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale, si dhe se 3 të proceduarit duke shpërdoruar detyrat, kanë lejuar kryerjen e kësaj veprimtarie.
Vijojnë hetimet për të dokumentuar përgjegjësinë penale të të gjithë shtetasve të implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Kukësit, për veprime të mëtejshme.
Burimi