Kalonte qytetarë drejt BE kundrejt ryshfetit, arrestohet një tjetër polic i Rinasit
Një efektiv i policisë në Aeroportin e Rinasit është vënë në pranga nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Briken Tereziu, 39 vjeç, ishte shpallur në kërkim që prej 4 qershorit të këtij viti pasi dyshohet se ka ndihmuar të kalojnë në vendet e Bashkimit Evropian nga Aeroporti i Rinasit, shtetas që e kishin të ndaluar hyrjen në vendet e BE-së.
Tereziu ishte pjesë e 9 policëve të Rinasit ndaj të cilëve Gjykata e Tiranës caktoi masën e arrestiti në burg në fillim të këtij muaji pas hetimeve të kryera. Tereziu ishte i vetmi që nuk ishte kapur dhe ishte në kërkim. 39 vjeçari i arrestuar jepte udhëzime mbi itenerarin e udhëtimit që duhet të kryej pasagjeri, duke vendosur si destinacion fillestar aeroportet e vendeve që nuk janë në BE dhe më pas kryerjen e fluturimeve tranzit drejt vendeve të BE-së.
“Në vijim të komunikatës së datës 04.06.2024, mbi ekzekutimin e masave të sigurimit personal ndaj 8 punonjësve të policisë, efektivë në Komisariatin e Policisë Kufitare Aeroporti Rinas dhe pas shpalljes në kërkim të punonjësit të policisë, Inspektor B. T., 39 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka bërë të mundur sot arrestimin dhe ekzekutimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, të vendosur ndaj tij nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”, thuhet në njoftimin e AMP-së.
Përveç punonjësve të policisë së Rinasit, në këtë grup ishte dhe Enea Sulejmani, pronari i Bus Albania. Ai kishte kontakte me ndihmës specialistin/kontrollor në Komisariatin e Policisë Kufitare Aeroporti Rinas, Briken Tereziu.
Përmes agjencisë së tij, përveç përfitimeve nga biletat që iu shiste qytetarëve Sulejmani hynte ndërmjetës për ata që kishin problematika me ndalimin e udhëtimit në zonën Shengen.
Sipas hetimeve, pasi këta persona verifikohen paraprakisht prej Tereziut, ose lidhjeve të tij shoqërore/punonjës policie, jepeshin udhëzimet mbi kabinën ku duhet të paraqiten për përpunimin e të dhënave dhe vlerat monetare në këmbim të lejimit për të udhëtuar dhe formën e dorëzimit të tyre.
Burimi