Ja pse u tensionuan deputetët e opozitës në sallë, Nikolla nuk pranoi…
Parlamenti është mbledhur në seancën e fundit për këtë sesion parlamentar ku janë votuar dekretet për ndryshimet në Qeveri, por gjithashtu do të zgjidhet edhe Kryetarja e re e Kuvendit, pas dorëheqjes së paraqitur nga Lindita Nikolla, javën e shkuar.
Por kjo seancë e fundit parlamentare duket se ka prishur atë qetësinë dhe konsensusin e javës së kaluar, kur demokratë dhe socialistë u bënë bashkë dhe votuan ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Shkak për tensionet në sallë që më pas shkaktuan edhe kaosin ishte rrëzimi i kërkesës së paraqitur nga demokratët për një debat lidhur me ndryshimet në Qeveri.Kërkesa në emër të PD-së u paraqit nga Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar, që kërkonte një debat 6 orësh lidhur me ndryshimet në Qeveri.
Mospranimi i kërkesës ka sjellë tensionet në seancë, ku Gazment Bardhi ka tentuar të marrë fjalën, ndërsa Lindita Nikolla, e cila drejton sot Kuvendin për herë të fundit pas largimit nga posti i Kryetares së Kuvendit, përsëriste vazhdimisht që kreu i deputetëve demokratë ishte i përjashtuar. Kryetarja e Kuvendit ka pretenduar se po zbaton rregulloren, ndërsa deputetët e PD i janë rikthyer tezës se po u mohohen të drejtat kushtetuese për të folur në Kuvend.
Kjo u pasua nga një reagim në grup i deputetëve të PD-së, një pjesë e të cilëve zaptuan foltoren e Kuvendit, ndërsa të tjerë i binin tavolinave duke krijuar zhurmë, si ajo e shumë muajve më parë, kur tensionet ishin evidente në pothuajse çdo seancë.
“Hajdut, mafioz, gënjeshtare”, ishin disa nga artikulimet e Gazment Bardhit në sallën e Kuvendit, duke iu drejtuar kabinetit qeveritar ku ndodhej edhe Kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentares, Lindita Nikolli.
Replikat:
Gazmend Bardhi është përjashtuar që në nisje të seancës. Ai është përplasur me Lindita Nikollën, duke i thënë se ka gënjyer sallën me arsyen e largimin nga posti i kryeparlamentares, duke u shprehur se ishte sëmurë.
Nikolla i është përgjigjur duke i thënë se duhet ‘t’i vijë turp’ me fjalët që përdor dhe insinuatat që krijon.
Bardhi: Gënjeve Parlamentin dhe sallën, the jam sëmurë. Ju zbatoni kodin mafioz.
Nikolla: Ti je i përjashtuar s’mund të marrësh fjalën për procedurë.
Bardhi: Si nuk të vjen turp?
Nikolla: Ty të të vij turp për fjalët që përdor dhe për insinuatat që krijon…
gijotina.com/
Burimi