Homazhet në nder të Kadaresë, shkrimtari Ylljet Aliçka: E konsideroj babanë tim shpirtëror

Homazhet në nder të Kadaresë, shkrimtari Ylljet Aliçka: E konsideroj babanë tim shpirtëror

Po mbahen homazhet në nder të kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadaresë në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Pjesë e homazheve në nder të Kadaresë pritet të jenë personalitet të artit dhe politikës. Mes tyre është edhe shkrimtari Ylljet Aliçka i cili në një prononcim për mediat duke e konsideruar si baba shpirtëror Ismail Kadarenë u shpreh se kolosi i letrave shqipe u largua fizikisht, por la pas veprën e tij.
Ylljet Aliçka: Mund ta quajmë një emancipues shpirtëror të shoqërisë shqiptare, tej talentit të tij si shkrimtar. Në gjithë botën është i përhapur sepse letërsia e tij shijohet. Iku fizikisht, por vepra mbetet dhe do e kujtojmë gjithmonë me mall ne që e kemi njohur nga afër. Kam një arsye personale për ta ndjerë çik më shumë dhimbjen. Më ka promovuar, më ka bërë parathënie librash dhe e konsideroj si baba shpirtëror.
Gjithashtu e pranishme ishte dhe drejtorja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, e cila u shpreh se Kadare iku i qetë dhe pa brenga pasi e kishte kryer gjënë më të rëndësishme për një shkrimtar.
Alda Bardhyli: Mendoj që Kadare iku i qetë, pasi ai mendonte që e kishte kryer atë që është shumë e rëndësishme për një shkrimtar, botimin dhe rishikimin e të gjithë veprës së tij të plotë. Kjo e bënte atë të qetë dhe besoj ka ikur pa brenga.
Burimi