
Gjenocidi serb në Kosovë, gjenden eshtrat e 11 civilëve në një varrezë masive në Gjakovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, kanë bërë të ditur se janë gjetur dhe identifikuar 11 persona të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se ata janë identifikuar pas “26 pranverash në pritje dhe ankth”.
“Pas masakrës në Kralan, forcat shtetërore të Serbisë, i kishin rrëmbyer dhe groposur në varreza masive, në përpjekje që t’i zhdukin, bashkë me dëshmitë e krimeve. Më 2 prill 1999, ata, bashkë me qindra burra dhe djem shqiptarë, u grumbulluan me dhunë nga forcat ushtarake dhe policore të Serbisë, në një fushë në Kralan, rrethuar me tanke. Aty u mbajtën nën tortura të vazhdueshme, pa ujë dhe ushqim për dy ditë. Më 4 prill, nga ta u ndaluan 86 burra dhe djem, ndër të cilët 11 ishin të mitur. Që nga ajo ditë, askush nga ta më nuk është parë i gjallë”, ka thënë Kurti përmes një postimi në Facebook, duke thënë se pas zhvarrosjes nga Bishtazhini, Serbia i ka rrëmbyer kufomat.
Kurti ka thënë se janë gjetur dhe identikuar trupat e Adem Gashit, Sahit Gashit, Bekim Hasanit, Sheremet Ismajlit, Mentor Myrtajt, Osman Fejzës, Shkelzen Hajdarajt, Bekim Gashit, Sabedin Kryeziut, Mentor Kryeziut dhe Vehbi Halilajt.
Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mbetjet mortore janë zhvarrosur në vjeshtën e vitit 2023 dhe prej atëherë ka nisur procesi i identifikimit përmes ADN-së.
Sipas të dhënave më të fundit të Kryqit të Kuq, deri në janar të këtij viti në Kosovë ishin 1.612 persona të pagjetur nga lufta më 1998/99.
Kryetari i Komisionit Qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, i ka nisur një letër kryediplomates së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, gjatë muajit shkurt duke kërkuar hapa konkretë prej saj dhe bllokut evropian për të detyruar Serbinë që të bashkëpunojë dhe t’i hapë arkivat e saj shtetërore, përfshirë ushtarake, policore dhe të inteligjencës, për të kuptuar vendndodhjen e të zhdukurve të luftës së fundit.
Më 15 janar të këtij viti ishte planifikuar mbajtja e një takimi të Komisionit të përbashkët të Kosovës dhe të Serbisë për të pagjeturit, mirëpo ai ka dështuar për shkak të refuzimit të Serbisë për të marrë pjesë, si shenjë proteste pas një aksioni të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të Serbisë.
Komisioni i përbashkët Kosovë – Serbi për të pagjeturit është ngritur në bazë të një marrëveshjeje të arritur vitin e kaluar në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.
Formimit të Komisionit i ka paraprirë pajtueshmëria e arritur nga udhëheqës të Kosovës dhe Serbisë më 2023 për Deklaratën e përbashkët për Personat e Zhdukur.
Disa prej zotimeve të bëra në deklaratë përfshijnë:
qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar;
vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rendësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe
punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.
Në praktikë nuk është realizuar asnjëra pikë e deklaratës, pavarësisht thirrjeve të bllokut evropian.
Kosova dhe Serbia dialogojnë prej vitit 2011 dhe kanë arritur edhe një mori marrëveshjesh tjera, por jo të gjitha janë zbatuar.
Bashkimi Evropian u rikujton dy palëve shpesh se avancimi në procesin e dialogut është i lidhur me rrugën e tyre në integrimet euro-atlantike.
/REL/
Burimi