Formula 1/ Lando Norris triumfon mes shiut, aksidenteve dhe kaosit në Melburn
Lando Norris me McLaren fitoi sot garën e parë sezonale në Formula 1, atë të zhvilluar në Melburn të Australisë. Një garë mjaft e bukur, kushtëzuar edhe nga kushtet atmosferike (pista e lagur dhe shiu), duke e lënë të hapur emrin e fituesit deri në kthesën e fundit.
Piloti britanik arriti të lërë pas kampionin e botës në fuqi, Max Verstappen me Red Bull (i dyti), ndërkohë që në podium ngjitet edhe George Russell me Mercedes (i treti). Zhgënjen Ferrari, që nuk arriti të përfitojë nga mundësitë që iu dhanë gjatë garës, duke gabuar me strategjinë e gomave.
Gara nisi me tri aksidente, madje Hadjar doli jashtë që në xhiron e formatimit për shkak të pistës së lagur. Ai që përfitoi nga starti i garës është Max Verstappen, që parakalon Piastri, por me kalimin e xhirove australiani e rifiton atë pozicion.
McLaren dominon me të dy pilotët dhe gara është e qetë deri në mesin e saj, kur Fernando Alonso përplas makinën e tij dhe pilotët ndërrojnë gomat. Kjo e bën disi më interesante pjesën e dytë të garës, pasi pilotët vendosin tipe të ndryshme gomash.
Nisja e shiut, fillimisht nxjerr jashtë loje dy makinat McLaren, me Verstappen që merr kreun dhe Hamilton që ngjitet në vendin e dytë, por te Ferrari gabojnë strategji dhe i futin me vonesë makinat për të ndërruar gomat, duke humbur shumë pozicione.
Norris rimerr sërish kreun pasi holandezi ndërron gomat (pilotët garojnë me ato të ndërmjetme), ndërkohë që ka mjaft aksidente, me 6 makina që e mbyllin garën para kohe. Nga kjo situatë përfitojnë makinat Mercedes, që ngjiten në renditje.
Verstappen përpiqet deri në fund të parakalojë Norris por pa sukses. Në vendin e katërt u rendit Alexander Albon, që përfitoi nga penaliteti me 5 sekonda që mori Kimi Antonelli me Mercedes (i pesti). Në zonën e pikëve edhe Lance Stroll, Nico Hulkenberg, Charles, Leclerc, Oscar Piastri dhe Lewis Hamilton.
Burimi