Drama me Slloveninë, Ronaldo shpjegon lotët e tij
Cristiano Ronaldo qan me lot të hidhur gjatë kohës shtesë në fazën e 16-të të Kampionatit Evropian ndërmjet Portugalisë dhe Sllovenisë. Pas përfundimit të lojës, ai shpjegoi shpërthimin e tij emocional.
Në “ruletën ruse” të penalltive, Portugalia ia doli që falë 3 pritjeve të portierit Diogo Costa të kalonte Slloveninë, duke u kualifikuar në çerekfinale.
Por vëmendjen e të gjithëve e mori Cristiano Ronaldo, i cili shpërtheu në lot pas penalltisë së humbur në minutën e ‘105, rrezikoi të “hidhte në erë” rrugëtimin e Kombëtares së tij.
Kur Bernardo Silva vendosi penalltinë e fundit në favor të Portugalisë, shumica e shokëve të tij u vërsulën menjëherë drejt golashënuesit, por Ronaldo, tashmë 39 vjeç, u pa të shijonte thuajse në heshtje këtë fitore.
Pesë herë fituesi i Topit të Artë shtrëngoi grushtin, përqafoi mikun e tij Joao Cancelo dhe u duk se morri frymë i lehtësuar, pasi efekti i penalltisë së humbur në shtesë dhe lotët e hidhur që e kapluan gjatë pushimit të shkurtër ishin ende të pranishëm.
Pas ndeshjes, CR7 shpjegoi për mediat arsyen përse ai qau kur dështoi nga pika e bardhë përballë portierit slloven Oblak.
“Në fillim isha tepër i trishtuar, tani jam thjesht i lumtur. Ky është futbolli. Kështu ndodh në futboll. U përpoqa të vendosja ndeshjen, por nuk ia dola, humba penalltinë. Kjo është shumë e trishtueshme për mua dhe ka ndodhur rrallë. Prandaj më duhej të qaja. Ka momente që nuk mund të shpjegohen, ku thjesht kalon pasioni”, tha Ronaldo pas ndeshjes.
Në fund kapiteni i portugezëve nuk mund të mos shprehte vlerësimin për portierin Diogo Costa. “Ai na shpëtoi”, tha Ronaldo.
Burimi