Burgosen 5 serbë për krime lufte/ Gjykata e Prishtinës vendos 30 ditë paraburgim për të akuzuarit

Burgosen 5 serbë për krime lufte/ Gjykata e Prishtinës vendos 30 ditë paraburgim për të akuzuarit

Pesë serbë të akuzuar për krime lufte gjatë vitit 1999 janë lënë në një muaj paraburgim nga Gjykata e Prishtinës. Ata akuzohen për vrasje dhe plagosje gjatë viteve të luftës, ndërsa u arrestuan mëngjesin e së shtunës. Vendimi i Gjykatës solli dhe reagime të ashpra nga Ministria e Jashtme Serbe.
Gjykata themelore e Prishtinës vendosi një muaj paraburgim për 5 serbë të cilët akuzohen për krime lufte në Kosovë gjatë vitit 1999.Të dyshuarit u arrestuan mëngjesin e së shtunës gjatë një aksioni të autoriteteve të sigurisë së Kosovës në qytetin e Gjilanit nën akuzën për vrasje, plagosje dhe keqtrajtim të civilëve shqiptarë në fshatrat Llovcë, Pogragjë dhe Uglar në prill të vitit 1999.
Vetëm disa orë më pas, togat e zeza urdhëruan të shtunën në mbrëmje 30 ditë heqje lirie në qelinë e paraburgimit për serbët me pretendimin se, nëse lihen të lirë “mund të ikin dhe të shmangen nga procedura penale, pasi janë shtetas të Republikës së Serbisë dhe mund të jenë të pakapshëm për organet e drejtësisë”.“Po ashtu, ata mund të bëjnë përpjekje të zhdukin provat materiale si dhe të ndikojnë në të dëmtuar ose në të pandehur të tjerë, të cilët gjenden në arrati”, thuhet në njoftim.
Fill pas vendimit erdhi dhe reagimi nga institucionet serbe. Ishte Ministria e Punëve të Jashtme, e cila i bëri thirrje ndërkombëtarëve me mision në Kosovë “t’i japin fund arrestimeve arbitrare, rezultati i vetëm i të cilave është shkatërrimi i karakterit multietnik” të Kosovës. Ndërkaq ata u shprehën se ky është “një shembull tjetër i sulmeve ndaj serbëve me qëllim të frikësimit dhe dëbimit”.

Pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Ndërkaq, më shumë se 13.000 civilë janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Burimi