Bien aplikacionet e ‘Meta’, probleme në përdorimin e Facebook, Instagram dhe WhatsApp
Aplikacionet e kompanisë Meta kanë shfaqur probleme këtë mbrëmje. Mijëra përdorues po përballen me vështirësi në përdorimin e Instagram, Facebook dhe WhatsApp.
Disa media të huaja kanë raportuar lajmin, ndërsa problemet në këto aplikacione janë shfaqur në pjesë të ndryshme të botës, nga Mbretëria e Bashkuar, Europa, SHBA, Azia, Australia, por edhe në vendin tonë.
Përdoruesit janë ankuar për probleme me Instagram-in, me 11,891 raste të regjistruara nga Downdetector që nga ora 18:00.
Edhe përdoruesit e Facebook kanë raportuar ndërprerje, me probleme dhe raportime kryesisht në brigjet Lindore dhe ato të Paqësorit në SHBA. Sipas Downdetector, ndërprerjet në Facebook janë raportuar për herë të parë rreth orës 18:00 sot dhe kanë arritur më shumë se 100,000 ankesa për probleme.
WhatsApp, gjithashtu në pronësi të Meta-s, ka pasur shumë raportime për ndërprerje në të njëjtin hark kohor sot. Faqja Downdetector raporton se që nga ora 18:00 janë regjistruar më shumë se 9,600 raportime për ndërprerje.
Meta ende nuk ka pasur një reagim. Përdoruesit po hasin një sërë problemesh, si në ueb ashtu edhe në aplikacionet përkatëse. Problemet e raportuara përfshijnë pamundësinë për të përdorur fare aplikacionet ose shkëputje të tyre.
Përdoruesit gjithashtu kanë raportuar se nuk mund të postojnë as përmbajtje në këto rrjete. Të tjerë janë përballur me vonesa në përdorimin e tyre.
gijotina.com/
Burimi