Berisha me shqiptarët në SHBA: Të shpëtojmë vendin nga diktatura
Gjatë fjalës së mbajtur në takimin me demokratët e Miçiganit, kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaroi se, vota e shqiptarëve të diasporës është një potencial shumë i madh për të shpëtuar vendin nga diktatura.
Berisha u shpreh se, Edi Rama dhe Xhorxh Soros kishin si qëllim që të shkatërronin opozitën në Shqipëri.
Pjesë nga fjala:
Shqipëria kaloi këto vite, 3-4 vite, t’u them haptas, një grusht shteti.
Grushtet e shtetit për një vend nuk janë vetëm përmbytjet e qeverisë.
Jo, grushtet e shtetit ndodhin edhe kur synohet të përmbytet opozita.
Pse kjo? Se çdo vend ka sovranitet të brendshëm dhe të jashtëm. Në diktatura nuk ka sovranitet të brendshëm.
Pa opozitë, nuk ka sovranitet të brendshëm dhe ajo që ndodhi me lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe Xhorxh Soros, kishte vetëm një qëllim, shndërrimin e opozitës shqiptare në një fasadë të Edi Ramës.
Por ne ia dolëm.
Me sakrifica, me përpjekje dhe ne jemi shqiptarë, ua them unë këtu një gjë ju, kur Sekretari i Shtetit më shpalli non-grata tetë vite pasi isha larguar nga çdo funksion, por vetëm mbroja interesin kombëtar të Kosovës, mbroja interesin publik në Shqipëri si detyrim madhor që ndjeja, unë pothuajse isha në prag të largimit tim nga politika.
Por vendimi i lobuar nga Xhorxh Soros dhe Edi Rama, pa asnjë fakt, pa asnjë bazë, kishte vetëm një synim, asgjësimin e opozitarizmit të vërtetë në Shqipëri.
Natyrisht ishte vendim i gabuar.
I gabuar sepse ne jemi shqiptarë, ne kemi një shprehje: Zoti më ruajtë nga miqtë, se nga armiqtë ruhem vetë.
U detyruam të gjithë si demokratë të bëjmë përpjekje të mëdha për të pasur opozitë Shqipëria.
Dhe sot Shqipëria ka opozitë, në kushtet më të vështira.
Pasi u gjetëm para të papriturës, menduan se e arkivuan Sali Berishën dhe e damkosën me turp, ai u rikthye falë mbështetjes së shqiptarëve.
Dhe ky ishte një dështim i madh në atë përpjekje që u bë.
Pas kësaj, hapën dosje dhe kujtuan se do blinin heshtjen time, po heshtja ime nuk mund të blihet.
Siç e dini, katër vite hetimi, në fund përfunduan tek pagesat që vajza ime ka bërë për mua, pagesa familjare apo bamirësitë e tyre ndaj fëmijëve autikë.
Mirëpo, në çdo rrethanë, njeriu kurrë në qoftë se beson një kauzë të drejtë, nuk duhet të dorëzohet.
Dhe ne u garantoj ju, nuk dorëzohemi, por ne do bëjmë një betejë me të gjithë forcën tonë që Shqipërinë ta kthejmë përsëri në rrugën e Zotit, në rrugën e shpresës, në rrugën e zhvillimit.
Në këtë kontekst, sot, ndoshta më shumë se asnjëherë, Shqipëria ka nevojë për mbështetjen tuaj, për ndihmën tuaj, për angazhimin tuaj.
Kjo është diktaturë jo e lehtë. Unë u dhashë vetëm një shembull, por mund t’u jap shumë të tjera.
Dhe unë kam besim të plotë se kjo ndihmë, kjo mbështetje nuk do mungojë.
Jemi përpjekur për vite që diaspora të votojë. Kjo është e drejtë kushtetuese e juaja.
Mohimi i votës suaj ishte reminishencë e politikës hoxhiste ndaj diasporës dhe emigracionit.
Më në fund u arrit dhe këtë e konsideruam një zhvillim shumë të madh dhe kërkoj ndjesë para jush se u arrit me vonesë.
Por, kjo arritje, të dashur miq, është një potencial shumë i madh i juaji për të kontribuar në shpëtimin e vendit nga kjo diktaturë me votën tuaj.
Ndaj dhe ftoj çdonjërin prej jush, të bëjë gjithçka për të siguruar numrin më të madh të mundshëm të pjesëmarrjes tuaj në zgjedhjet e ardhshme.
Si një votë për shpëtimin e Shqipërisë, e cila në fakt po rrokulliset, po zbrazet si asnjëherë tjetër në historinë e saj.
Burimi