Berisha: Beqajn e arrestuan se vodhi 125 mijë euro, por e falën për 300 milionë
Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka komentuar gjatë mbrëmjen e sotme arrestimin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Ai deklaroi se Beqaj u vu në pranga nga SPAK se ka vjedhur 125 mijë euro të BE-së, por u fal për vjedhjen e 300 milionë eurove të shqiptarëve në koncesionin e sterilizimit.
“Në një akt ndër më cinikët që mund të ekzistojë, në një akt dëshmie flagrante të kontrollit të plotë dhe total të Skrapit të partisë nga Edi Rama, në një akt të verbër dhe poshtërimi për shqiptarët, Damani i partisë, Zamani i partisë lëshoi urdhër-arresti për Ilir Beqën sepse ai ka vjedhur dhe shpërdoruar, ka blerë makinë, ka paguar dreka dhe darka te restoranti i vet me fondet e BE, në total 125 mijë euro. Me këtë rast, ne duhet të falënderojmë BE-në për qëndrimin që mban ndaj hajdutëve të parave të tij.
Por miqtë e mi, Ilir Beqaj arrestohet dhe është në qeli sonte pse ka vjedhur 125 mijë euro të taksapaguesve europianë dhe nuk u arrestua kurrë pse ka vjedhur, ka shpërdoruar me Edi Ramën dhe bandat e tij, me korbën e korrupsionit, 300 milionë euro në 3 koncesionet e shëndetësisë që ka firmosur me dorën e tij të zezë” – tha Berisha gjatë fjalës së mbajtur në protestën poshtë banesës së tij.
Sipas Berishës, Beqaj dhe Rama janë pronarë të sipërmarrjes që rriti 83 herë çmimin për njësi të sterilizuar në koncesionin e sterilizimit të mjeteve spitalore.
“83 herë rritje e deklaruar nga KLSH. Rritje që tejkalon çdo lloj imagjinate. Fituesi i sterilizimit është miku i Edi Ramës, i cili e kishte mahnitur atë për suksesin e tij në Itali me ndërmarrjen e ndërtimit me dy punëtorë të regjistruar. Ilir Beqaj është personi që i caktoi kësaj kompanie të Rrapajt pikët dy herë më të mëdha se kompanisë tjetër.
Ilir Beqaj është personi që i dhuroi kësaj kompanie, katin e tërë të spitalit, aparaturën ultramoderne të blerë me taksat e qytetarëve shqiptarë për sterilizimin e mjeteve. Ilir Beqaj është hajduti i Edi Ramës, i cili i dhuroi falas kësaj kompanie të tij dhe të Edi Ramës, ujin, energjinë elektrike, lokalet.
Kurse Edi Rama i çmendur, i marrosur nga vjedhja dhe pasurimi i paligjshëm kalonte nga studio në studio për të mbuluar krimin e tij të shëmtuar me një gërshërë të thyer dhe pincë me një krah dhe tregonte se ja me çfarë operoheshin, duke bërë idiotin, tutkunin se gërshëra e thyer nuk pret, se pinca me një krah nuk ka dhe nuk përdoren kurrë. Por duhej me çdo kusht të mbulonte vjedhjen e tmerrshme, e cila po tejkalonte të gjitha limitet. Vetëm në gjysmën e kohës u vodhën 76 milionë euro.
Por këta hajdutë xhelatë morën qindra e qindra jetë njerëzish sepse në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë, spitalet, pavijonet kirurgjikale nuk blinin dot setet kirurgjikale që u nevojiteshin për operacione. Dhe kush e pësonte? E pësonin të sëmurët. Çdo vit përjashtoheshin minimumi 1 mijë shqiptarë nga domosdoshmëria e operacionit” – tha Berisha.
Burimi