
Bashkia e Malësisë së Madhe tender për iftar para zgjedhjeve
Bashkia e Malësisë së Madhe e drejtuar nga Tonin Marinaj ka shpallur një tender për organizimin e një iftari, në një kohë kur vendi ndodhet në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Procedura e prokurimit, e hapur ditët e fundit, parashikon shërbimin e kateringut për një darkë iftari për 136 persona.
Sipas dokumenteve zyrtare, tenderi do të zhvillohet më 19 mars në orën 13:30, ndërsa në specifikimet teknike përcaktohet se menuja përfshin petulla me mjaltë dhe djathë, sallatë mikse, supë me mish viçi, pilaf me mish viçi (300 gr për person), kos, si dhe ëmbëlsira të ndryshme. Përveç ushqimeve, në paketë janë përfshirë edhe tre pije joalkoolike për çdo të ftuar.
Bashkia ka theksuar se operatori fitues do të duhet të sigurojë që ushqimet të jenë të freskëta dhe të kontrolluara, ndërsa procesi i përzgjedhjes së ofertuesit do të zhvillohet me procedurë të përshpejtuar.
Organizimi i një iftari i financuar nga fondet publike në këtë periudhë, është parë si një përpjekje për të ndikuar elektoratin.
Burimi