Akuzat për fshehjen e vrasjes së 14-vjeçarit, edhe ministri sulmon median: Të vërtetën e thotë vetëm Policia
Pas Policisë, edhe ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka dalë me një reagim në rrjetet sociale duke sulmuar median pas raportimeve për vrasjen e 14-vjeçarit pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë.
“Mbështes plotësisht në frymë dhe në gërmë deklaratën e sotme të Policisë së Shtetit dhe i bashkohem thirrjes për mediat, që të ndalin valën e dizinformimit mbi autorësinë e vrasjes së nxënësit të shkollës “Fan Noli” dhe në përgjithësi mbi komunikatat e Policisë së Shtetit, siç bënë edhe në rastin e Pogradecit duke helmuar opinionin publik”, thotë Ervin Hoxha.
Më tej, shton:
“Konfirmoj edhe me përgjegjësinë time politike dhe ligjore vërtetësinë e komunikatave të Policisë së Shtetit mbi dinamikën e kësaj ngjarjeje. Tymnaja mbi ekzistencën e një autori të dytë, i cili paska goditur me një tjetër thikë viktimën është prodhim i papërgjegjshmërisë mediatike, që s’ka asnjë lidhje me të vërtetën dhe me interesin publik. Fatkeqësisht disa ekrane dhe portale, si edhe të zakonshmit e këtyre rasteve në tribunën e politikës apo të maskuar si qëndrestarë të pavarur rrugëve qorre të luftës për pushtet, po përsërisin atë që bënë me ngjarjen e Pogradecit. Por fatmirësisht në këtë rast, ngjarja është e regjistruar nga kamerat e sigurisë, të cilat tregojnë qartë bllofin e madh të politizimit apo tregëtimit mediatik të vdekjes. Konstatoj se përpjekja për të shfrytëzuar politikisht dhe mediatikisht situata të tilla, rritet bashkë me të dhënat pozitive të punës së policisë”.
Në përfundim, ai krenohet se në vend, sipas tij, është ulur numri i vrasjeve.
“Histeria dizinformuese mesa duket motivohet nga rënia e përvitshme e numrit të vrasjeve dhe kur ndodh një tragjedi e tillë, të zakonshmit hidhen përpjetë sapo u vjen rasti! Sidoqoftë, e vërteta është e qartë si drita e diellit në komunikatat e Policisë së Shtetit, jo në lojën politike apo mediatike me vdekjen të atyre që ky popull ua ka marrë dorën prej kohësh”.
Lexo edhe:
Dyshime për një goditës së dytë në vrasjen e 14-vjeçarit/ Policia: Pamjet filmike tregojnë se ka vetëm një autor (por nuk i publikon). Sulmon dhe median!
Burimi