Shpallen rezultatet e vlerësimit ndërkombëtar TIMSS 2023: Shqipëria shënon progres në…
Gjatë publikimit të rezultateve të sotme të TIMSS 2023, Shqipëria renditet për herë të parë mbi mesataren ndërkombëtare në Matematikë.
Ky vlerësim ndërkombëtar e rendit Shqipërinë në listën e 14 shteteve me rezultate në rritje në Matematikë dhe në listën e 15 shteteve me rezultate në rritje në Shkencë.
Shqipëria ka shënuar një progres të dukshëm në vlerësimin ndërkombëtar TIMSS 2023, duke përmirësuar rezultatet në Matematikë dhe Shkencë dhe duke u renditur për herë të parë mbi mesataren ndërkombëtare në Matematikë.
Ky vlerësim, i cili përfshiu në vendin tonë 200 shkolla dhe 5143 nxënës të klasës së katërt, u zhvillua për herë të parë në format digjital (CBA).
Shqipëria për herë të parë shënoi një rezultat prej 512 pikësh në Matematikë, ose 9 pikë mbi mesataren ndërkombëtare që është 503 pikë.
Nxënësit tanë e renditën Shqipërinë në vendin e 33-të nga 58 shtete dhe 5 ekonomi pjesëmarrëse, duke lënë pas vende si Kanadaja, Spanja, Belgjika, Franca, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnja-Hercegovina, etj,. 8% e nxënësve shqiptarë arritën nivelin e avancuar të aftësive, duke tejkaluar mesataren ndërkombëtare (7%).
Nga 49 shtete me rezultate të krahasueshme me rezultatet e TIMSS 2019, 14 prej tyre kanë rritje të rezultateve të TIMSS 2023, 22 shtete nuk kanë ndryshim në rezultate, ndërsa 13 shtete kanë rënie të rezultateve.
Shqipëria është në listën e 14 shteteve me rezultate në rritje në Matematikë. Në prezantimin ndërkombëtar të rezultateve, Shqipëria u cilësua si një ndër shtetet me rritjen më të lartë të pikëve në lëndën e Matematikës, me një rritje prej 18 pikësh.
Shqipëria arriti një rezultat prej 491 pikësh në Shkencë, me një rritje prej 2 pikësh krahasuar me 489 pikët e vitit 2019, vetëm 3 pikë nën mesataren ndërkombëtare prej 494 pikësh. Vlen të theksohet se Shqipëria është vendi i parë në renditje, pas mesatares ndërkombëtare të Shkencës.
Shqipëria u rendit në vendin e 34-të për Shkencën, duke lënë pas shtete si Belgjika, Franca, Qiproja, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnje-Hercegovina etj,.
Nga 49 shtete me rezultate të krahasueshme, me rezultatet e TIMSS 2019, 15 prej tyre kanë rritje të rezultateve të TIMSS 2023, 21 shtete nuk kanë ndryshim në rezultate, ndërsa 13 shtete kanë rënie të rezultateve. Shqipëria është në listën e 15 shteteve me rezultate në rritje në Shkencë.
TIMSS është një vlerësim ndërkombëtar që realizohet një herë në katër vite dhe organizohet nga Shoqata Ndërkombëtare për Vlerësimin e Arritjeve Arsimore (IEA). Ky vlerësim ndërkombëtar është një instrument kyç për matjen e cilësisë së arsimit në Matematikë dhe Shkencë.
Shqipëria u bë pjesë e TIMSS për herë të parë në vitin 2019 dhe performanca e saj është përmirësuar dukshëm në këtë vlerësim të fundit.
Këto rezultate pasqyrojnë progres të qëndrueshëm dhe një angazhim për të përmirësuar cilësinë e arsimit. Performanca e nxënësve shqiptarë tregon një rrugë të qartë për arritjen e standardeve më të larta arsimore dhe një angazhim për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit në nivel ndërkombëtar.
i.b./dita
Burimi