Sali Berisha lirohet nga masa “arrest në shtëpi”
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është liruar nga masa “arrest shtëpie”. Gjykata e Posaçme ka dhënë ditën e sotme vendimin për revokimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për Berishën. Ky vendim u mor nga gjyqtarja Flojera Davidhi.
Avokati i kreut të PD-së, Genc Gjokutaj deklaroi se ndaj Berishës nuk është caktuar asnjë masë tjetër sigurie. Ai shtoi se Prokuroria kërkoi që Berisha të qëndronte në “arrest shtëpie”.
“Sot gjykata revokoi masën e arrestit të shtëpisë, si një masë që nuk ka as kushte as kritere për caktimin e saj, dhe nga sot Sali Berisha është lirë dhe nuk ka asnjë masë sigurie ndaj tij.
Nuk ka asnjë masë tjetër sigurie. Unë nuk mund të relatoj dosjen për ju, por gjykata konstatoi se për Sali Berishën nuk ekzistojnë kushtet dhe kriteret për asnjë lloj mase sigurie.
Prokuroria kërkoi që të qëndronte në arrest shtëpie. Kjo ishte kërkesa jonë, që kur kemi depozituar kërkesën. Këto kërkesa për revokim mase shqyrtohen brenda 5 ditëve dhe gjyqtarja caktoi dhe seancën”, tha ndër të tjera, avokati Genc Gjokutaj për mediat.
Më 30 dhjetor 2023 Gjykata e Posaçme njoftoi se e kishte vendosur masën arrest shtëpiak ndaj Berishës i cili është duke u hetuar së bashku me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi (aktualisht nën masën “arrest shtëpie”) për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani.
Më herët, Sali Berisha ka refuzuar masat e dhëna nga SPAK, atë të detyrimit të paraqitjes dhe të ndalimit të daljes jashtë shtetit, duke i konsideruar masat si antikushtetuese. Pas moszbatimit të këtyre masave, Struktura e Posaçme ashpërsoi masën e sigurisë për Berishën, duke e lënë në “arrest shtëpie”.
Gjykata e Posaçme urdhëroi Berishën të mos largohet nga banesa e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë me të në të njëjtën banesë, ndërsa për zbatimin e kësaj mase ngarkoi SPAK-un dhe shërbimet e policisë gjyqësore.
j.l./ dita
Burimi