Rikandidimi i Biden për president, ja kur merret vendimi

Rikandidimi i Biden për president, ja kur merret vendimi

Më e shumta një javë, thjesht për të shmangur sikletin e ndryshimit të lidershipit në mes të samitit të NATO-s, kur liderët e Aleancës do të jenë në Uashington për të festuar shtatëdhjetë e pesë vjetorin e themelimit të saj dhe për të “ndërtuar urën” për futjen e Ukrainës.
Por më pas do të duhet të merret një vendim për të ardhmen e rikandidimit të Joe Biden për Shtëpinë e Bardhë, cilido qoftë ai.
Faqja e internetit Axios shkruante se demokratët shpresojnë për tërheqje deri të premten, ndërsa gjatë takimit të deputetëve të thirrur dje nga kreu i tyre, Hakeem Jeffries u ngritën zëra të tjerë për të kërkuar ndryshim në garë.
Dje Biden e nisi ditën në Kishën Mount Airy Church of God in Christ në Filadelfia, për një aktivitet të fushatës zgjedhore me komunitetin afrikano-amerikan. Peshkopi Felton i ftoi besimtarët të përqafonin njëri-tjetrin dhe u lut kështu:
“Armiku është përpjekur të na përçajë prej kohësh. Ai ka përdorur mosmarrëveshje sipërfaqësore, gjëra që nuk kanë asnjë rëndësi, vetëm për të na kthyer kundër njëri-tjetrit. Jemi bashkë sepse e duam presidentin tonë, lutemi për presidentin tonë, kërkoj që të vazhdoni t’i jepni forcë.”
Më pas kreu i Shtëpisë së Bardhë fluturoi në Harrisburg, po në shtetin kyç të Pensilvanisë, për të marrë pjesë në një aktivitet me sindikatat. Iniciativa të nevojshme për të demonstruar se ai ka forcën për të vazhduar udhëheqjen e fushatës elektorale, me synimin për të qetësuar ata që besojnë se nuk ka më energji.
Zëvendësja, Kamala Harris shkoi në Festivalin e Kulturës në New Orleans, të titulluar “Chief to Chief”, ku e përmendi Biden vetëm një herë për t’i kërkuar rizgjedhjen. Sikur të mos mjaftonin problemet ekzistuese, bashkëshorti i saj Doug Emhoff rezultoi pozitiv me Covid, por ajo që mund të bëhet së shpejti kandidate për Shtëpinë e Bardhë është negative.
Në të njëjtën kohë, kreu i demokratëve në Kongres, Hakeem Jeffries, thirri një takim me kolegët për të matur pulsin dhe për të kuptuar se çfarë synojnë të bëjnë. Të paktën katër ligjvënës i kanë kërkuar presidentit të bëjë një hap prapa: kreu i Komitetit Gjyqësor Jerry Nadler, anëtari i Komitetit të Mbrojtjes Adam Smith, anëtari i Komitetit të Çështjeve të Veteranëve Mark Takano nga Kalifornia si dhe Joseph D. Morelle nga Nju Jorku, udhëheqës i Komitetit Administrativ.
Një zyrtar anonim i Shtëpisë së Bardhë i tha New York Times se ai dhe disa kolegë gjithashtu kanë filluar të dyshojnë. Sot senatori Warner do të takohet me kolegë skeptikë. Kështu, dallga e dyshimit së brendshmi fryhet, ndërkohë që financuesit e Hollivudit janë ankuar edhe te përfaqësuesi i tyre, Jeffrey Katzenberg, duke e akuzuar se ka gënjyer për gjendjen fizike të Biden, për të marrë kontributet e tyre.
Sipas Axios, demokratët shpresojnë se presidenti do të shpallë tërheqjen deri të premten e ardhshme. Sot liderët e NATO-s nisin të mbërrijnë për samitin në Uashington dhe të enjten pasdite kreu i Shtëpisë së Bardhë do të mbajë konferencën për shtyp. Më pas, gjithçka do të bëhet e mundur.
i.b/dita
Burimi