Rama vendos Vangjel Tavon, opozita me djalin e Fredi Belerit në Himarë

Rama vendos Vangjel Tavon, opozita me djalin e Fredi Belerit në Himarë

Partia Demokratike kundërshtoi si antikushtetuese shpalljen zgjedhjeve të pjesshme vendore në Himarë, pas heqjes së mandatit të Fredi Belerit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Megjithatë, opozita nuk do të bojkotojë procesin dhe t’i lerë terren të lirë socialistëve në këtë bashki. Për këtë qëllim kanë nisur diskutimet për identifikimin e emrit që do të garojë përballë Vangjel Tavos, të zyrtarizuar tashmë nga Partia Socialiste.
Burime nga PD citojnë marrëveshjen që kanë me PBDNJ-në e Vangjel Dules, sipas të cilës Himara është terren i lirë për partinë e minoritetit grek. Kjo do të thotë se emri që do të kandidojë më 4 gusht do të propozohet nga Vangjel Dule.
Alternativat nuk janë të shumta dhe vendimi i Dules nuk pritet të ketë surpriza. Emri që do të propozohet, thonë burimet, është ai i Petro Belerit, djalit të Fredi Belerit. Arsyet janë disa, por kryesorja është se kandidatura ka krijuar një marrëdhënie gati personale me Kryeministrin grek, Kiriakos Mitsotakis, marrëdhënie që do t’i sigurojë opozitës mbështetjen e Athinës në Himarë.
Nëse mbështetja dhe influence e Athinës pritet që të jetë e fortë në këto zgjedhje, nuk mund të thuhet me siguri e njëjta gjë për mbështetjen e Partisë Demokratike. Tashmë me vulë dhe sigël në duart e Sali Berishës, partia më e madhe opozitare, thonë burimet, po shqyrton me kujdes strategjinë që do të ndjekë në Himarë për të shmangur kritikat që ka marrë deri më tani për mbështetjen e kandidaturës kontraverse të Fredi Belerit.
Burimet pohojnë se strukturat vendore të partisë do të angazhohen në mbështetje të kandidatit të propozuar nga Vangjel Dule, por për të mos marrë kosto elektorale para zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm, figurat qendrore të partisë do të distancohen nga fushata aktive.
 
j.l./ dita
Burimi